Thirrje për Aplikime

Këshillimi i Karrierës në Shqipëri: E tashmja dhe e ardhmja

Më 5 Dhjetor 2024, në Tiranë do të zhvillohet konferenca “Këshillimi i Karrierës në Shqipëri: E tashmja dhe e ardhmja”. Kjo ngjarje e rëndësishme do të mbledhë së bashku ekspertë të fushës, përfaqësues të institucioneve publike dhe private, si dhe aktorë të ndryshëm të interesuar në zhvillimin e shërbimeve të udhëzimit të karrierës në vend.

Këshillimi i karrierës kontribuon në zgjedhje më të mira sa i takon edukimit dhe punësimit. Gjithashtu, ai ndihmon në një artikulim më të qartë të kërkesës për të nxënë, përmirësimin e aksesit në edukim dhe përmirësimin e përputhshmërisë mes kërkesës dhe ofertës për punë.

Konferenca do të përshëndetet nga znj. Olta Manjani, Zëvendës Ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe z. Philip Arnold, Zëvendës Ambasador i Zvicrës në Shqipëri.

Sjellja e eksperiencave ndërkombëtare përmes fjalës së znj. Jaana Kettunen, Zëvendës Drejtore e Institutit Finlandez për Kërkime Edukative, do të jetë një vlerë e shtuar duke përfshirë dhe rolin e inteligjencës artificiale apo zhvillimeve teknologjike në këtë proces.

Në vijim, paneli i parë do të trajtojë sfidat dhe domosdoshmërinë e koordinimit të ofruesve publikë të këshillimit të karrierës për një sistem efektiv të karrierës në Shqipëri, me fokus të veçantë në zyrat e para të ngritura të këshillimit të karrierës në vend, por edhe strukturave ekzistuese.

Konferenca do të përfundojë me një diskutim mbi rolin e medias në orientimin e karrierës së të rinjve, për t’i fuqizuar ata drejt vendimmarrjes së informuar për zgjedhjet profesionale.

Helvetas në Shqipëri, gjatë 12 viteve të fundit, ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve të këshillimit të karrierës në Shqipëri, përmes projektit ‘RisiAlbania’. Risi është një projekt inovativ i punësimit të të rinjve, mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, zbatuar nga Helvetas dhe Partners Albania. Projekti ka punuar për zhvillimin e sistemit të këshillimit të karrierës dhe mbështetur aktorët kryesorë për ofrimin e këtij shërbimi si një e mirë publike nga pushteti lokal, për të përmirësuar shërbimin për studentët në universitetet publike, për të integruar edukimin e karrierës në sistemin parauniversitar dhe duke përmirësuar programin e masterit të orientimit profesional në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.