Cilët jemi ne?
Objektivi i projektit RisiAlbania është punësimi i të rinjve të grupmoshës 15 - 29 vjeç, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Projekti mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili zbatohet nga Helvetas dhe Partnerët Shqipëri. Ky projekt është në zbatim që prej vitit 2013.
Projekti punon për të përmbushur këte objektiv nëpërmjet mbështetjes strategjike në tre komponentë kryesore:
1. Krijimi i vendeve cilesore të punës në sektorët Agribiznes, TIK dhe Turizëm.
2. Zhvillimin e shërbimeve të ndërmjetsimit për punë dhe ato të Këshillimit në Karrierë për të rritur efiçencën e ndërmjetësimit për punë të të rinjve.
3. Zhvillimin e ofertës së trajnimve jo publike në Turizëm dhe TIK për një punësueshmëri më të lartë dhe të qëndrueshme të të rinjve.
Krijimi i Vendeve të Punës
Të rinjtë në Shqipëri kanë vështirësi në gjetjen dhe mbajtjen e një vendi pune. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), shkalla e papunësisë së të rinjve në Shqipëri për vitin 2023 ishte 22.0% për individët e moshës 15-29 vjeç. Gjithashtu, të rinjtë nuk janë të kënaqur me vendin dhe kushtet e punës. Si rezultat, vitet e fundit emigrimi i të rinjve është rritur shumë. Nga ana tjetër, biznesi ka vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në përgjithësi dhe të asaj të kualifikuar në veçanti. Sektorët e turizmit, agrobiznesit dhe TIK janë sektorë me potencial për zhvillim dhe gjithëpërfshirës duke ofruar mundësi punësimi në zona rurale e urbane dhe për të rinj me nivele të ndryshme të edukimit. Duke synuar për të sjellë ndryshime të qëndrueshme në treg, projekti bashkëpunon me biznese të sektorëve ku projekti është aktiv, ofrues shërbimi, universitete, partnerë publikë në nivel lokal e qendror për të adresuar sfidat e tyre e duke i sjellë ata bashkë në nisma dhe ndërveprime efektive për zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Projekti në bashkëpunim me aktorët e sipërpërmendur prezanton modele inovative dhe të qëndrueshme të rritjes së biznesit dhe punësimit të të rinjve me fokus të veçantë zonat rurale dhe grupet në nevojë si për shembull vajzat nga zonat rurale.
Këshillimi i Karrierës dhe Ndërmjetësimi për Punë
Të rejat dhe të rinjtë në Shqipëri përballen me vështirësi për t’u orientuar dhe integruar në tregun e punës. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), përqindja e të rinjve të moshës 15-24 vjeç që nuk janë në punë, arsim apo trajnim (NEET) në Shqipëri për vitin 2023 është 24.0%.
Të rinjtë kanë mungesë informacioni dhe hasin vështirësi për të bërë zgjedhjet e duhura dhe të mirëinformuara për karrierën. Për të plotësuar këto nevoja të tyre, RisiAlbania punon për të ngritur një sistem të qëndrueshëm të këshillimit të karrierës, ku funksionet e nevojshme të shërbimit ekzistojnë dhe janë aktive: mbështetja dhe zhvillimi i kapaciteteve të institucioneve ofruese të shërbimit, zhvillimi i përmbajtjes për këshillim karriere, ofrues shërbimi të kualifikuar dhe rritje e ndërgjegjësimit nga ana e të rinjve dhe prindërve të tyre për rëndësinë e këtij shërbimi.
Përsa i takon ndërmjetësimit për punë, projekti kontribuon në shërbime inovative dhe të qëndrueshme të punësimit nëpërmjet AKPA si institucioni që ofron shërbime ndërmjetësimi për punë numrit më të madh të punëkërkuesve të papunë me aftësi të pakta dhe mesatare, por edhe nëpërmjet ndërmjetësuesve privatë të punësimit duke përmirësuar ofertën e tyre për një kategori të rinjsh me aftësi mesatare dhe më të zhvilluara.
Zhvillimi i Aftësive
Tregu i trajnimit jo publik në Shqipëri është një treg i rëndësishëm që ofron mundësi të shpejta punësimi pas trajnimeve afatshkurtra. Megjithatë, edhe ky treg vuan pamjaftueshmërinë e bashkëpunimit me biznesin për t’ju përgjigjur nevojave në rritje të tij. Gjithashtu, ky treg përballet me ndryshimet e vazhdueshme dhe me inovative të aftësive në botën e punës siç janë ato të digitalizimit apo aftësive të gjelbra, të cilat përbëjnë një sfidë më vete në bërjen e tyre pjesë të programeve të tyre të trajnimit. Në fushat ku projekti operon në këtë komponent, turizëm dhe TIK janë gjithsej 9 ofrues aktivë të trajnimit jo publik (Skills Case Study, 2022). Bazuar në sa më sipër, RisiAlbania kontribuon në përmirësimin e ofertës së trajnimit të këtyre ofruesve, përmes përmirësimit të modeleve të tyre të biznesit përsa i takon bashkëpunimit me sektorin privat, dizenjimin e kurseve inovative dhe tërheqëse për të rinj, si dhe mundësinë e marrjes së këtyre kurseve edhe nga të rinj që jetojnë në zona më pak të zhvilluara.
Për ta plotësuar këtë kontribut edhe në nivel sistemi, projekti mbështet në ngritjen dhe funksionimin e Komiteteve Sektoriale të Aftësive, të cilat janë platforma të institucionalizuara që sjellin bashkë biznesin, institucionet arsimore dhe trajnuese, politikëbërësit e vendimmarrësit si dhe partnerët socialë, për të reflektuar zhvillimet e reja në botën e profesioneve. Së fundmi, për të siguruar cilësi në trajnim dhe mobilitetin e të rinjve, projekti mbështet AKAFPQ në procesin e referencimit të ofruesve jo publikë me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve e cila është e njëhsuar me Kornizën Europiane të Kualifikimeve.
Për më shumë mbi punën në secilin komponent klikoni në menunën ‘Fushat’.