A mundet rajoni i Gjirokastrës të jetë një model i destinacionit të turizmit të qëndrueshëm? Kjo ishte tema e një webinari të organizuar nga shoqata Visit-Gjirokastra, me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim-SDC. Webinar-i synonte të paraqiste kriteret e Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm – GSTC dhe mënyrën sesi këto standarde mund të zbatohen në destinacionet shqiptare, ose biznesin e turizmit, siç janë operatorët turistikë dhe hotelet. Anëtarët e Shoqatës Visit Gjirokastra (VGA), përfaqësues të Bashkive të Gjirokastrës dhe Përmetit, përfaqësues të RisiAlbania, përfaqësues nga universitete, ekspertë të turizmit morën pjesë në këtë webinar. Gjatë fillimit të vitit 2020 dy anëtarë të VGA u trajnuan në Zvicër nga Këshilli Global i Qëndrueshëm i Turizmit (GSTC) përmes mbështetjes së RisiAlbania. Një nga objektivat ishte ndarja dhe transferimi i njohurive te anëtarët t tjerë të bordit dhe më tej komunitetit të biznesit të turizmit.

Pse Qarku i Gjirokastrës?

Gjirokastra tashmë ka krijuar një organizatë publike-private për turizmin në rajon me synimin për të menaxhuar të gjithë rrethin si destinacion turistik. Ajo përfshin 7 bashki: Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Këlcyrë, Libohovë, Dropull dhe Memaliaj. Shoqata Visit Gjirokastra (VGA) tashmë ka identifikuar atraksionet turistike në zonë, monumentet e kulturës, parqet arkeologjike dhe parqet e mbrojtura natyrore, trashëgiminë e paprekshme, traditat, muzikën, veshjet dhe kuzhinat. Rajoni aktualisht po promovohet përmes mediave sociale dhe faqes në internet www.visit-gjirokastra.com

Kjo shoqatë ka bërë përpjekje të mëdha për të promovuar tërë destinacionin, përfshirë bashkitë dhe fshatrat më të vegjël, ku fokusi kryesor u vu kryesisht në marketing. Megjithatë aktualisht për shkak të pandemisë covid19 dhe mungesës së turistëve, ky është momenti i duhur për të menduar se si të menaxhojmë këtë destinacion, si t’i qasemi parimeve të qëndrueshme dhe të informojmë të gjithë anëtarët e rinj se si ata mund të fillojnë të mendojnë për ruajtjen e destinacionit, natyrës, kulturës dhe traditës, si dhe mënyra se si të gjenerohen më pak mbetje.

Përparësitë dhe sfidat e rrethit të Gjirokastrës si destinacion i mundshëm i qëndrueshëm

Rrethi i Gjirokastrës ka disa përparësi pse ky destinacion mund të jetë një model për të filluar zbatimin e kritereve të qëndrueshme. Së pari, vetë Gjirkastra është një qytet i UNESCO-s, kështu që ka një status të mbrojtur, gjendja e të cilit monitorohet dhe raportohet çdo vit. Qytetet dhe fshatrat e tjerë ofrojnë peisazhe malore, larg ndotjes dhe të pasura me vende historike. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, rajoni ka një strategji dhe vizion i cili tani është krijuar për të promovuar këtë destinacion.

Sfida kryesore e Gjirokastrës drejt qëndrueshmërisë është që VGA të zgjerojë anëtarësimin me të gjitha bizneset e turizmit në rajon, të ketë si anëtarë hotelet kryesorë dhe operatorët turistikë, si dhe artizanët, fermerët. Shoqata mund të ketë vëzhgues dhe bashkëpunëtorë nga institucione të tilla si ARZM (agjencia rajonale për zonat e mbrojtura) ose Drejtori të tjera përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve, përfaqësues të UNESCO-s dhe nga shoqëria civile dhe komuniteti.

Së dyti, mbledhja e të dhënave në të gjithë rajonin mbetet një sfidë e madhe për sa i përket numrit të bizneseve të turizmit, të ardhurave nga turizmi, punësimit, situatës së transportit, situatës së monumenteve dhe zonave të mbrojtura, ndotjes në rajon etj. Ekziston një nevojë e dukshme për të mbledhur të gjitha statistikat për rajonin në mënyrë që të fillojnë dhe të përcaktohen disa objektiva për destinacionin dhe për anëtarët e shoqatës, si dhe bashkitë.

Gjatë gjithë webinarit, pjesëmarrësit u përfshinë në mënyrë aktive dhe bënë pyetje konkrete në lidhje me vetë të ardhmen e shoqatës dhe sesi parimet e qëndrueshme do të vihen në praktikë dhe do të përqafohen nga bizneset. Rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë dhe përfitimet afatgjata të turizmit të qëndrueshëm është një hap i rëndësishëm për të ndryshuar mendimin dhe sjelljen e aktorëve të përfshirë në rrethin e Gjirokastrës.

Në rast se dëshironi të shikoni webinarin e plotë klikoni këtu.