Vijon Përgatitja e Këshilluesve të Karrierës
Shërbimet e karrierës në universitete janë thelbësore për të lehtësuar kalimin e studentëve nga bota akademike drejt botës së punës dhe këshilluesit e karrierës janë guri i themelit të këtyre shërbimeve. Për këtë arsye, fokus i punës së RisiAlbania ka qenë ngritja e kapaciteteve të këshilluesve, paralelisht me zhvillimin e përmbajtjes dhe mjeteve të punës.
Në vijim të punës për ngritjen e shërbimeve të karrierës në nivel universiteti, këtë fazë RisiAlbania ka nisur bashkëpunimin me dy universitete të rëndësishme në Shqipëri për nga shtrirja dhe lidhja me tregun e punës të cilat janë duke ndërmarrë hapa konkrete në zhvillimin e shërbimeve të karrierës: Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës për të rritur shtrirjen e shërbimeve dhe për të mbrritur te sa më shumë studentë.
Për këtë qëllim gjatë muajit Qershor ka nisur trajnimi për përgatitjen e këshilluesve të karrierës të këtyre dy institucioneve. Përgjatë dy javëve, stafet e zyrave të karrierës hyjnë në thellësi të profesionit të këshilluesit të karrierës nëpërmjet ushtrimeve praktike dhe pajisen me njohuri dhe instrumenta për ti aplikuar gjatë punës së tyre me studentët.
Ngritja e kapaciteteve të stafeve është vetëm hapi i parë në zhvillimin e shërbimit efektiv të karrierës për studentët e këtyre universiteteve.