Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës tashmë me një sektor dedikuar orientimit në karrierë të studentëve
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, mbështetur nga projekti zviceran RisiAlbania, inauguroi Sektorin e Karrierës dhe Alumnit, i cili ndihmon studentët për të marrë vendime të mirinformuara për karrierën, si dhe iu vjen në ndihmë atyre për t’u përgatitur për tregun e punës.
Qendra u inagurua sot në prani të Z. Patrik Meier, Zëvendës-Kreu i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri; Prof. Dr. Kseanela Sotirofskit, Rektor i Universitetit të Durrësit; Znj. Edlira Muedini, Menaxhere e Projektit RisiAlbania; përfaqësuesve të pushtetit lokal si dhe universiteteve partnere.
Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, nëpërmjet projektit RisiAlbania ka lehtësuar zhvillimin e shërbimeve të orientimit në karrierë në Shqipëri, përmes një qasjeje holistike, frymëzuar nga modeli zviceran.
Përpjekjet e Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, u kurorëzuan sot me çeljen e kësaj zyre, pavarësisht sfidave dhe kohës së shkurtër. Kjo infrastrukture i vjen në ndihmë studentëve për kalimin e tyre nga jeta universitare drejt tregut të punës dhe është plotësuese ndaj nismave të tjera që UAMD ka ndërmarrë në fushën e karrierës.
Zyra do të t’ju ofrojë studentëve informacione dhe trajnime mbi situatën në tregun e punës, njohuri bazë mbi procesin e aplikimit për punë, si dhe mundësi për zhvillimin e aftësive të tyre. Studentët do të njihen vazhdimisht me oferta për punësim, praktika apo punë vullnetare përmes zyrës.
Këshilluesit e karrierës të UAMD-së janë trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare “Global Career Development Facilitator” dhe kanë përfituar nga shkëmbime profesionale me homologët polakë nga Universiteti i Teknologjisë së Varshavës. Ata përdorin mjete pune të përshtatura sipas kontekstit të Shqipërisë dhe nevojave të të rinjve në vend.
Gjatë vitit 2020, UAMD-ja iu përgjigj shpejt sfidës së pandemisë përmes një serie uebinaresh, ku ndër të tjera u prezantua edhe “Udhëzuesi i Karrierës”. Ky udhëzues është një mjet për përdorim të pavarur nga të rinjtë e nivelit universitar gjatë procesit të kërkimit dhe aplikimit për punë.
RisiAlbania – projekti i punësimit për të rinjtë e të rejat i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) – mbështeti Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës për ngritjen e Sektorit të Karrierës dhe Alumnit.