Standardet për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike në Kolonjë: perspektiva për agrobizneset dhe të rinjtë
Zëvendës Kreu i Misionit të Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, Z. Patrick Meier, së bashku me Z. Stephan Joss, Koordinator Kombëtar i Helvetas në Shqipëri (HSI) dhe Drejtori i Projektit RisiAlbania, zhvilluan një takim me Kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, Z. Erion Isai, gjatë një vizite dy-ditore të mbajtur më 8 dhe 9 korrik 2020. Fokusi u vu në kultivimin e Bimëve Medicinale dhe Aromatike (BMA), si dhe mundësia për të zhvilluar turizmin në këtë rajon.
Vizita u organizua në kuadër të bashkëpunimit midis Bashkisë së Kolonjës dhe dy projekteve të zbatuara nga HSI, përkatësisht RisiAlbania dhe Bashki të Forta, mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Projekti Bashki të Forta punon drejt qeverisjes së përmirësuar lokale duke çuar në shërbime më të mira për qytetarët, me një fokus në menaxhimin e mbetjeve dhe edukimin parashkollor.
RisiAlbania synon të gjenerojë mundësi punësimi për të rinjtë në Shqipëri duke mbështetur rritjen e sektorit privat, ofrimin e trajnimeve jo-formale të orientuara drejt tregut dhe strukturat e ndërmjetësimit të karrierës që funksionojnë më mirë. Përmes këtyre projekteve, qeveria Zvicerane synon të promovojë zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim, duke adresuar kështu Objektivin 8 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDG 8).
Agrobiznesi kontribuon rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë dhe krijon punësim për rreth 40% të popullsisë. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për punësimin e të rinjve dhe grupeve të disavantazhuara në zonat rurale. Për këtë arsye, që nga viti 2013, RisiAlbania mbështet agrobizneset që veprojnë në dy nënsektorë: fruta dhe perime dhe BMA. Bimët Medicinale paraqesin një nënsektor shumë të rëndësishëm për eksportet dhe punësimin në zonat rurale. Sipas INSTAT, në 2018 eksporti i BMA arriti në 37 Milion Euro, duke e bërë atë një nga kontribuesit më të mëdhenj në eksportet bujqësore.
Gjatë takimit, Z. Meier tha se ‘Kjo iniciativë u mundëson të rinjve të diversifikojnë burimet e tyre të të ardhurave ndërsa mbështet një zanat tradicional shqiptar ‘.
Aktualisht, RisiAlbania po punon ngushtë me tre eksportues: Biobes, Agro-Map dhe Bioalba. Agro-Map, i vendosur nga Prrenjas, synon të stimulojë kultivimin me kontratë dhe ofrimin e shërbimeve për fermerët – duke filluar nga fidanë të çertifikuar, në shërbimin e tharjes dhe mbështetje agronomike dhe financiare. Agro-Map kanë qenë pionierë në realizimin e investimeve në zonën e Kolonjës falë mbështetjes së Bashkisë. Gjatë kësaj periudhe ata kanë arritur të kontraktojnë gjashtë fermerë të rinj dhe ata janë duke punuar në krijimin e një departamenti R&D brenda kompanisë.
Bashkia e Kolonjës kohët e fundit nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me RisiAlbania, ku Bashkia do të promovojë Kolonjën si një destinacion për të tërhequr investime në BMA me kusht që të ofrojnë mundësi pune cilësore për të rinjtë. Në lidhje me të ardhmen, Kryetari i Bashkisë së Kolonjës theksoi rëndësinë dhe potencialin e agroturizmit për rrethin e Kolonjës.