Sofat Festival, shndërrimi i zonave rurale në destinacione tërheqëse për turistët
Festivali Sofat nisi gjatë fundjavës së fundit të shtatorit në fshatin Asim Zenel në Gjirokastër. Shoqata Visit Gjirokastra në bashkëpunim me Turtle fest me mbështetjen e projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim RisiAlbania, po organizojnë dy festivale në dy fundjava, duke promovuar zonat rurale të rajonit të Gjirokastrës: e para ishte në Asim Zenel 28-29 shtator, dhe e dyta në Libohovë përgjatë 4-5 Tetor.
Rreth 200 vizitorë vendas e të huaj ndoqën Festivalin SOFAT në Asim Zenel, i cili ofroi një ndërthurje të muzikës tradicionale dhe moderne, si dhe mundësi për të përjetuar jetën në fshat falë përfshirjes së komuniteteve rurale që pritën turistët në shtëpitë e tyre dhe ndanë traditat e tyre për herë të parë.
“Fshatrat shqiptarë kanë nevojë për këto aktivitete, ka kaq shumë turistë në fshat gjatë këtyre ditëve dhe ne kemi mundësinë të ndajmë kulturën dhe traditat tona” – tha Delo Serjani, banor i fshatit Asim Zenel.
Shoqata po mbështet komunitetet vendase, duke i ndërgjegjësuar dhe duke ofruar trajnime përpara eventit për të siguruar që shërbimet që ata ofrojnë janë të standardeve të kërkuara, dhe gjithashtu po administron rezervimet dhe po koordinon aktivitetet promovuese me Turtle shpk, kompani që po organizon programimin artistik.
“Përmes këtyre aktiviteteve ne synojmë të sjellim më shumë vizitorë në zonë dhe ta bëjmë rajonin një destinacion turistik. Ne jemi duke punuar ngushtë me ofruesit e shërbimeve lokale, si bujttinat, artizanët, prodhuesit vendas dhe operatorë turistikë për të zhvilluar turizmin rural përgjatë gjithë vitit ”- tha Kristina Fidhi, kryetare e shoqatës Visit-Gjirokastra.
Shoqata Visit-Gjirokastra e krijuar rishtazi po promovon rajonin e Gjirokastrës si një destinacion turistik përmes paketave të reja dhe mbështetje për aktivitetet siç janë festivalet rurale, të cilat sjellin turistë në këto zona të thella dhe krijojnë përfitimet ekonomike nga turizmi për banorët e zonës.
Risi mbështet Shoqatën Visit-Gjirokastra për të zhvilluar këto shërbime dhe për të krijuar vende pune për të rinjtë në nivel vendor.