Shërbime karriere të reja dhe të përmirësuara për studentët
Qendrat e karrierës në universitetet shqiptare janë duke pilotuar shërbime të reja dhe të përmirësuara, që do tu ofruhen studentëve në vitin e ri akademik 2019-2020. Shërbime të tilla përfshijnë: manuale udhëzuese, trajnime për punësim dhe aftësi të buta, lidhje më të forta me komunitetin e biznesit për rritjen e praktikave dhe mundësive të punësimit, panairet e karrierës dhe një vëmendje më të madhe ndaj krijimit të rrjeteve me ish-studentët përfitues të këtyre programeve. Më shumë se 150 studentë kanë marrë tashmë trajnime për punësim në përputhje me standardin ndërkombëtar Career Development Facilitator (GCDF) , të cilin projekti e ka prezantuar tashmë midis grupit të parë të 20 këshilltarëve të karrierës nga 4 universitete shqiptare.
RisiAlbania ka në fokus forcimin e shërbimeve të orientimit të karrierës në nivel Universitar për të mbështetur integrimin e studentëve në tregun e punës. Për këtë qëllim ajo ka mbështetur krijimin e grupit të parë dhe rrjetin e këshilluesve të trajnuar të karrierës përmes programit ndërkombëtar të GCDF.
Pas trajnimit dhe përmes mentorimit të ngushtë, universitetet partnere si Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Universiteti i Tiranës, Universiteti Luarasi kanë filluar pilotimin e shërbimeve të para të përmirësuara të karrierës.
“Pas përfundimit të programit të trajnimit GCDF, qendra jonë e karrierës, e krijuar vetëm kohët e fundit, ka intensifikuar marrëdhëniet me biznesin dhe kemi një fokus të ri në zhvillimin e Rrjetit Alumni të Universitetit tonë, për t’i shërbyer më mirë mundësive për punësim. Trajnimi GCDF tashmë ka filluar të japë rezultatet e tij të para dhe besoj fuqimisht në ndikimin pozitiv që do të kenë këto shërbime në jetën e studentëve tanë dhe në komunitetin tonë “- thotë Xhafer Rakipllari, Drejtor i Shërbimeve Akademike, Universiteti” Alesandër Moisiu ” Durrës.