Rritja e bashkëpunimit për ofrimin e shërbimeve të karrierës.
Shumë shërbime kaluan online gjatë periudhës më kritike të pandemisë Covid-19. Për platformën e karrierës për fuqizmin e të rinjve – Expert Lane ky ishte një tranzicion i përshpejtuar por jo i paparashikuar. Me mbështetjen e RisiAlbania, Expert Lane ka krijuar një produkt unik në tregun shqiptar, që i përgjigjet nevojës së të rinjve në stade të ndryshme, për të zhvilluar karrierën e tyre.
Gjatë muajve të ‘distancimit fizik’ Expert Lane ishte pranë të rinjve me organizimin e webinarëve me fokus në: “Aftësitë dhe metodat për të gjetur dhe siguruar punën e duhur”. Ekspertë e karrierës organizuan një seri aktivitetesh live për një audiencë të gjerë, ku mbi 250 të rinj kanë treguar interes të lartë dhe kanë përfituar shërbime karriere. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe u promovuan disa produkte karriere si teste vetë-vlerësimi dhe sesione këshillimi dhe aftësimi të mëtejshëm, për të rinjtë që vendosën që të eksplorojnë edhe më tej.
RisiAlbania është angazhuar në krijimin e një rrjeti shkëmbimi dhe zhvillimi në fushën e shërbimeve të karrierës dhe ndërkohë është rritur edhe ndërgjegjësimi i aktorëve të ndryshëm për të bashkëpunuar dhe përdorur ekspertizën e njëri-tjetrit për ti shërbyer edhe më shumë të rinjve. Në këtë kuadër në muajt e fundit, Expert Lane ka bashkëpunuar ndër të tjera me Universitetin Luarasi, me Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës dhe me Kolegjin Universitar të Biznesit. Gjithashtu Expert Lane ka nisur të bashkëpunojë me organizata rinore për të mbërritur edhe tek të rinjtë të cilat nuk kanë të njëjtat mundësi aksesi apo informacioni për të ndjekur trajnime zhvillimi karriere. Në 16 Qershor, Expert Lane organizoi webinarin e parë me rreth 25 të rinj nga zona periferike të Tiranës dhe pati një reagim shumë pozitiv. Vijon planifikimi i webinarëve të tjerë për të arritur audienca të ndryshme edhe më gjerë.