Papunësia e të rinjve, një prioritet i vazhdueshëm për Shqipërinë ka qenë objektivi kryesor i RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC. Për të prezantuar rezultatet, impaktin dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta në të ardhmen, projekti zhvilloi eventin e datës 18, me praninë e shkëlqesisë së tij Adrian Maître, Ambasador i Zvicrës në Shqipëri, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe z. Arlind Gjokuta, Sekretar i Përgjithshëm, Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Më shumë se 100 përfaqësues të institucioneve publike dhe private në Shqipëri u mblodhën për të diskutuar mbi temën e punësimit të të rinjve në Shqipëri dhe kontributin e projektit të mbështetur nga qeveria zvicerane, RisiAlbania. Papunësia e të rinjve është një nga sfidat kryesore në Shqipëri, e vlerësuar në 26.6% sipas të dhënave të INSTAT-it të vitit.

“Teksa Shqipëria përgatitet për tregun evropian, vendosja e standardeve është moment kyç. Standardet ndërkombëtare jane kyçe për turizmin, përfshirë ruajtjen e mjedisit. Standardet janë thelbësore për të mbajtur vizitorët. Mungesa e punonjësve të kualifikuar është sfidë. Nëse ka një element që garanton sukses është koordinimi i mirë mes faktorit publik dhe sektorit privat”- tha Adrian Maître Ambasador i Zvicrës në Shqipëri.
Znj. Mirela Kumbaro, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit vlerësoi pozitivisht modelet si Visit-Gjirokastra dhe theksoi se turizmi është një mënyrë e mirë për të rritur punësimin, ndërsa njoftoi zgjerimin nga 18 në 23% të zonave të mbrojtura, përfshirë edhe Luginën e Vjosës.

Përgjatë këtyre 8 viteve, RisiAlbania ka punuar me pothuajse 80 institucione publike dhe private në Shqipëri për të prezantuar mënyra inovatore dhe të qëndrueshme të bërjes së biznesit, si e vetmja mënyrë për të krijuar vende të reja dhe të qëndrueshme pune për të rinjtë. Projekti punon për të krijuar më shumë mundësi punësimi dhe mundësi sa më të mira duke u fokusuar në 3 drejtime kryesore: zhvillimi i sektorit privat në Shqipëri, prezantimi dhe përmirësimi i shërbimeve të orientimit në karrierë dhe ndërmjetësimit, si dhe zhvillimin e aftësive në përputhje me tregun, për të përmbushur kërkesat e bizneseve.

Projekti dhe partnerët e tij kanë arritur të krijojnë mbi 3000 vende pune me kohë të plotë për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri dhe janë përfituar 15.5 milionë euro, nëpërmjet ndërhyrjeve në sektorët e Agrobiznesit, Turizmit dhe TIK-ut.

Falë një oferte të përmirësuar trajnimesh private jo-formale, në turizëm dhe TIK për sa i përket rëndësisë, shtrirjes dhe përfshirjes, më shumë se 900 të rinj kanë gjetur një punë pas trajnimit ose kanë përmirësuar pozicionin e tyre.

Së fundi, shërbimet e orientimit në karrierë në Shqipëri janë në një fazë të hershme. RisiAlbania ka punuar në këtë drejtim për të siguruar që të rinjtë të marrin vendime të informuara për karrierën, falë shërbimeve të karrierës në nivel komuniteti, universiteti dhe sektori privat, si dhe nëpërmjet përmirësimit të shërbimeve të ndërmjetësimit në nivel publik.

Brenda 4 viteve të ardhshme, bazuar në qasjen e dy fazave të mëparshme, RisiAlbania dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të kontribuojnë edhe në të ardhmen në krijimin e mundësive të punësimit për të rinjtë në Shqipëri.