Shërbimi Kombëtar i Punësimit (SHKP) po punon për të forcuar lidhjet me biznesin për të siguruar një ofertë më të mirë për punësim.  Për të mbështetur këtë proces RisiAlbania në bashkëpunim me SHKP-në, zhvilloi një metodologji për bashkëpunimin me biznesin dhe analizë rajonale të tregut të punës. Metodologjia e zhvilluar u pilotua në zyrën e punës në Elbasan. Specialistët e kësaj zyre u trajnuan dhe më pas metodologjia u aplikua drejtpërdrejt në komunitetin e biznesit në Elbasan ku u vunë re rezultatet e para të metodologjisë.

Pilotimi i kësaj metodologjie, gjetjet dhe rekomandimet e tij për vazhdimësinë e punës u prezantuan në një tryeze të përbashkët në Elbasan. Specialistët dhe drejtorët nga 12 zyrat rajonale diskutuan dhe analizuan rezultatet, zbatueshmërinë e metodologjisë në zyrat e tjera të punës dhe sfidat e mundshme. Gjatë diskutimeve specialistët e zyrës pilot të punës theksuan se “Metodologjia ofron një qasje të sistemuar për të rritur bashkëpunimin me biznesin dhe për të kuptuar më mirë dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tregut të punës”.

Një metodologji e tillë dhe mjetet e saj i ofrojnë zyrave të punës të këtij institucioni mundësinë për të qenë më të vetëdijshëm për nevojat e tregut të punës, të parashikojë mangësitë e aftësive që has tregu i punës dhe ti adresojë ato në kohë duke orientuar ofertën e qendrave të formimit profesional.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit është në proces kalimi në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe si një organizatë në rritje, qasje metodologjike, e institucionalizuar nuk është vetëm e rëndësishme, por një domosdoshmëri. Si i tillë, është një moment shumë i mirë për zbatimin e këtij manuali, pasi mbështet rritjen dhe lejon një qasje të unifikuar në të gjitha zyrat e punës.