Nisin përgatitjet për muajin e karrierës
Maji do të jetë muaji i zhvillimit të karrierës! RisiAlbania është duke përgatitur një seri aktivitetesh në bashkëpunim me partnerë dhe aktorë të fushës së zhvillimit të karrierës. Një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe unike gjatë këtij muaji do të jetë Panairi i Profesioneve, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Për këtë aktivitet, RisiAlbania është duke mbështetur Bashkinë Tiranë, Zyra e Këshillimit të Karrierës, në bashkëpunim me Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) të cilat do të mobilizojnë gjithë strukturat e nevojshme për demonstrimin kreativ dhe praktik të profesioneve.
Me pjesëmarrjen e shkollave profesionale, qendrave të trajnimit dhe biznesit, panairi do të ketë në fokus dhe do të ilustrojë katër grupe të mëdha profesionesh që janë të përshtatshme për të rinjtë, kanë kërkesë në tregun e punës dhe për të cilat ofrohet mundësi edukimi në Shqipëri.
Të rinjtë e shkollave 9-vjeçare, të mesme dhe më gjerë do të kenë mundësi të mësojnë më shumë mbi profesione të caktuara, të kuptojnë një ditë pune në këtë profesion, të informohen ku mund të marrin përgatitjen e duhur për këtë profesion (shkollë, qendër trajnimesh, etj.), dhe të kuptojnë interesin e tyre për profesionin. Përgatitjet kanë nisur dhe Panairi i Profesioneve pritet të zhvillohet në datat 10-11 Maj.