Për herë të parë, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi një takim lidhur me aksesin e bizneseve rurale në kredi dhe financim, me rastin e publikimit të “Udhëzuesit praktik për fermerët”, realizuar me mbështetjen e EFSE-s. Në 24 shtator, përfaqësues të sektorit bankar privat, ofrues të shërbimeve të biznesit dhe sipërmarrës ruralë u mblodhën për të diskutuar rreth mënyrave të rritjes së kreditimit për bizneset rurale. RisiAlbania mbështeti këtë aktivitet dhe promovoi krijimin e marrëdhënieve midis bankave, ofruesve të shërbimeve dhe operatorëve turistikë, pasi këta të fundit kanë akses tek bizneset e vogla që mund të përfitojnë nga kreditë.

“Pavarësisht se kontributi i sektorit të agrobiznesit në ekonominë shqiptare është i konsiderueshëm, numri i kredive për këtë sektor është shumë i ulët. Ne po krijojmë kanale të reja komunikimi. Bankat private duhet të zhvillojnë mënyra më novatore bashkëpunimi për rritjen e financimeve në zonat rurale, dhe ne duam që të ofrojmë mbështetjen tonë në këtë drejtim”, u shpreh Spiro Brumbulli, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Agrobiznesi në Shqipëri përbën një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë, pasi kontribuon me rreth 20% në PBB dhe 50% në punësim. Ka shumë mundësi për zhvillimin e këtij sektori, nëpërmjet strategjive të duhura të investimit, të cilat mund të realizohen nëse klientët ruralë kanë informacionin e duhur rreth metodave dhe mekanizmave financiare, si dhe qasje në ekspertizën e duhur për zbatimin e strategjive të biznesit të orientuara drejt rritjes së biznesit.

“Shumë agrobiznese dhe fermerë që kanë nevojë për financim nuk kanë qasje në të. Një prej barrierave ndaj financimit është mungesa e mekanizmave të nevojshme të bankave apo institucioneve të mikrofinancës, të cilat janë në gjendje të identifikojnë dhe synojnë klientët ruralë, pasi këta të fundit ndodhen në zona të largëta dhe nuk janë klientë të rregullt të bankave. Pavarësisht kësaj, ata kanë ide të mira dhe potencial për rritje. Organizata jonë, Risi, po ofron mbështetjen e saj ofruesve të shërbimeve të biznesit, të cilët po promovojnë shërbime të reja bizneseve të agroturizmit apo agrobizneseve, për t’iu mundësuar atyre qasje në grantet e IPARD dhe AZHBR, si dhe në financimin tregtar”, u shpreh Clara Garcia Parra, drejtuese e komponentit të zhvillimit të sektorit privat  në RisiAlbania.

Ofruesit e shërbimeve të zhvillimit të biznesit kanë potencial të madh për të shtuar lidhjet midis bankave dhe institucioneve të mikrofinancës nga njëra anë, dhe bizneseve rurale nga ana tjetër.

Ky aktivitet ishte hapi i parë konkret drejt lidhjes së marrëveshjeve midis ofruesve të shërbimeve të biznesit, eksportuesve, operatorëve turistikë dhe bankave tregtare që synojnë të shtojnë kreditimin produktiv për bizneset rurale.