Krijojmë vende të reja pune përmes zhvillimit të sektorit të agrobiznesit
Zhvillimi i sektorit të agrobiznesit është thelbësor për krijimin e mundësive për punësim cilësor për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri. Për këtë, RisiAlbania mbështet bizneset rurale të rriten, të eksportojnë drejt tregjeve me vlerë të lartë të Evropës Perëndimore dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre ekonomik. Projekti po punon me 2 nënsektorë me rritje të shpejtë; fruta-perimet dhe bimët aromatike dhe mjekësore dhe synon të krijojë 300 vende pune me kohë të plotë në këtë sektor deri në fund të projektit.
Tek frutat dhe perimet projekti ka mbështetur deri tani 2 grumbullues të mëdhenj për zbatimin e certifikimit në grup GlobalG.A.P, kompaninë Tomato.al që ka certifikuar një grup fermerësh dhe kompaninë Doni Fruit e cila është në proces certifikimi. Brenda vitit 2019 ata planifikojnë të rrisin eksportet drejt tregjeve të BE-së me 25%.
Në 20 qershor Ambasadori Zviceran Adrian Maître dhe stafi i projektit zhvilluan një vizitë në Lushnjë, ku takuan disa nga fërmerët që furnizojnë kompaninë Doni Fruit të cilët janë në proces përgatitjesh për marrjen e certifikimit në grup GlobalG.A.P një standard i nevojshëm që u shton vlerë produkteve shqiptare dhe përgatit eksportet tona për tregjet e reja evropiane, teksa promovon siguri më të lartë për fermerët përmes kontratave.
“Mësova se ka shumë kërkesa në mënyrë që të përmbushen standardet. Ato garantojnë cilësinë ë produkteve si dhe të mjedisit, dhe të dyja kanë shumë rëndësi për konsumatorin fundor dhe për tregun”, tha Ambasadori Maître pas vizitës në një serrë për pjepra e cila zbaton kërkesat e Global G.A.P.
“Zgjidhja që eksportet shqiptare të kapin tregje me vlera të larta është përputhja me standardet e kërkuara nga BE. Kjo hap dyert për supermarketet e BE-së”, tha Ejup Ahmeti nga ‘Doni Fruits’.
Në Kemishtaj, Ambasadori Zviceran visitoi BioBes, një kompani me histori të gjatë familjare në grumbullimin dhe paketimin e bimëve mjekësore në disa rajone të Shqipërisë. Fusha e tyre me lule misri si dhe linja të tjera në vend u sigurojnë 400 familjeve rurale burimin kryesor të të ardhurave.
Me mbështetjen e RisiAlbania BioBes po investon në teknologjinë e tharjes dhe zgjerimin e kultivimit të bimëve mjekësore dhe aromatike. Kompania synon të rritë pjesën e tyre të bimëve të kultivuara nga 6% aktualisht deri në 51% në 2022, si dhe të zbatojë certifikimin organik për 100% të produkteve.
“Kam parë një mundësi dhe potencial të madh për punësim, vende të reja pune, të ardhura dhe investime për Shqipërinë. Kjo është ajo për të cilën vendi ka nevojë, dhe ajo për të cilën qytetarët dhe të rinjtë në veçanti por edhe sektori privat kanë nevojë”, theksoi Ambasadori Maître gjatë vizitës tek një parcelë organike.
Shqipëria ka shumë avantazhe në sektorin e agrobiznesit. Vendi ka kushte të mira atmosferike, tokë të pasur, është e pozicionuar shumë mirë gjeografikisht dhe gëzon një rrjet të gjerë partnerësh në vende të tjera. Përmes certifikimit, investimit në teknologji të reja dhe përmirësimit të praktikave të punës kompanitë që operojnë në sektorin e agrobiznesit do të sigurojnë kontrata më të mira me blerësit nga vendet e Evriopës Perëndimore, do të sigurojnë më shumë përfitime, do të riinvestojnë dhe do të krijojnë vende të reja punë për të rinjtë që jetojnë në zonat rurale.