Krijohet Udhërfyesi i Parë Kombëtar për Bimët Medicinale dhe Aromatike
Universiteti Bujqësor i Tiranës hedh një hap të rëndësishëm drejt inovacionit dhe transferimit të teknologjisë e njohurive në bujqësi në sektorin e bimëve medicinale dhe aromatike në Shqipëri.
Për herë të parë në vendin tonë, UBT po ndërton një “Udhërrëfyes Kombëtar për Bimët Medicinale dhe Aromatike (BMA) në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësues të sektorit privat dhe aktorë të tjerë të zinxhirit të vlerës.
Udhërrëfyesi do t’i shërbejë sektorit privat me njohuri praktike mbi prodhimin, kostot, standardet, teknologjinë, përpunimin dhe tregjet e BMA-ve. Kjo nismë mbështetet nga RisiAlbania.
Kjo iniciativë mori frymëzim nga një vizitë studimore në Zvicër, në Qëndrën e Ekselencës së Bujqësisë Zviceriane(Agroscope) zhvilluar në Tetor 2023, e përfaqësuesve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT, të kolegëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të përfaqësuesve nga sektori privat.