Konferenca Women in Tech – promovojmë pjesëmarrjen e grave në sektorin e sigurisë kibernetike
Gra sipërmarrëse të suksesshme, studente të talentuara dhe gra në drejtim u bënë pjesë e konferencës Women in Tech të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, NAECCS më 21 tetor, duke inkurajuar pjesëmarrjen e grave në industrinë e sigurisë kibernetike në vend.
“Në Shqipëri me kënaqësi konstatojmë se ka një numër në rritje të grave që kontribuojnë nësektorin e sigurisë kibernetike, duke thyer stereotipet gjinore për këtë sektor” – tha Vilma Tomço, Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, NAECCS.
Konferenca mblodhi më shumë se njëqind gra dhe vajza që ndanë histori suksesi në sektorin e TIK dhe frymëzuan vajzat e reja që të punojnë në industrinë e teknologjisë, veçanërisht në sigurinë kibernetike.
“Në vitin 2018 kemi filluar një bashkëpunim të frytshëm me NAECCS, duke mbështetur një ekip fantastik, të udhëhequr nga gra fantastike, për të zbatuar ligjin e sigurisë kibernetike. Kjo I mundëson sektorit privat të tërheqë investitorë ndërkombëtarë dhe gjithashtu shërben si një shtysë për kompanitë në sektorët e sigurimeve, bankave dhe sektorë të tjerë në krijimin e pozicioneve për ofertën sigurisë kibernetike ”- tha znj. Edlira Muedini menaxhere e projektit RisiAlbania.
Sektori po përballet me një hendek të madh midis nevojave të sektorit privat për punëtorë të aftë dhe përmbajtjes së kurrikulave që ofrojnë institucionet e edukimit për të rinjtë. Risi mbështeti realizimin e një studimi mbi kërkesat e tregut dhe ofertën për profesionistët e sigurisë kibernetike. Z. Igli Tafa gjatë prezantimit të gjetjeve të studimit rekomandoi përmirësimin e kurrikulave aktuale në universitetet shqiptare dhe integrimin e programeve universitare ose programeve master për sigurinë kibernetike për përgatitjen e brezave të ardhshëm. Për të përmbushur nevojat e menjëhershme të specialistëve në këtë sektor, nevojitet promovimi i kurseve afatshkurtra dhe specializime në sigurinë kibernetike për ata që kanë mbaruar studimet në fushën e IT.
Kompanitë nga sektorët e sigurimeve, telekomunikacionit, energjisë, shëndetësisë dhe sektorë të tjerë në Shqipëri kanë nevojë, më shumë se kurrë për ekspertë të sigurisë kibernetike dhe gratë mund të kenë një rol më të madh!