Implementimi i Metodologjisë së Bashkëpunimit me Biznesin në Drejtoritë Rajonale dhe Zyrat Vendore të Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) vijon të zhvillojë me tej marrëdhëniet e bashkëpunimit me biznesin. Me mbështetjen e RisiAlbania është hartuar Metodologjia e Bashkëpunimit me Biznesin që ndihmon zyrat e punës të ndwrtojnë partneritete afatgjata me biznesin dhe të jenë më afër nevojave të tregut të punës, duke iu përgjigjur nevojave të biznesit për forcë punëtore.
Në këtë kuadër, gjatë vitit 2020 u mundësua pilotimi në 3 drejtori rajonale dhe këtë vit ka nisur zbatimi i këtij manuali metodik dhe trajnimi i stafeve në 7 drejtori rajonale dhe 12 zyra pune vendore të tjera. Ky proces i realizuar ngushtwsisht me zyrat e punës dhe AKPA, i mbështetur nga RisiAlbania, synon që stafi i zyrave të punës të fitojë përvojën dhe aftësitë për ta zbatuar metodologjinë në mënyrë të pavarur, dhe për të ndjekur me profesionalitet të gjitha hapat e nevojshme për plotësimin e suksesshëm të vendeve të lira të punës. Në terma praktikë, stafi i zyrave të punës zbaton në terren hapat e manualit metodik duke ndërtuar ura bashkëpunimi me klientë (biznese) ekzistues dhe të rinj për të përmbushur nevojat e tyre për forcë punëtore dhe për t’i mbështetur me programe punësimi.
Si pjesë e metodologjisë së bashkëpunimit me biznesin, stafi i zyrave të punës trajnohet dhe aftësohet për të realizuar analizën e tregut rajonal të punës. Ky proces i mundëson atyre të njohin në thellësi tregun ku operojnë, të kuptojnë më mirë nevojat për aftësi dhe të orientojnë zhvillimin e forcës punëtore.
Përvoja e deritanishme me zyrat që e kanë zbatuar metodologjinë tregon se hapat e ndjekur në manualin metodik lejojnë stafin e zyrave të punës të ofrojnë një shërbim të unifikuar, që i përgjigjet në kohë dhe me cilësi nevojave të biznesit dhe njëkohësisht i mundëson atyre të jenë më proaktivë duke rritur bashkëpunimin me biznesin edhe nën sfidat që paraqet tregu i punës gjatë pandemisë.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive do të vijojë punën për zbatimin e kësaj metodologjie në të gjitha drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore për ta institucionalizuar këtë instrument bashkëpunimi.