Tematika e këshillimit të karrierës po merr një vëmëndje gjithmonë e më të veçantë në Shqipëri. Aktorë të ndryshëm të tregut po i përgjigjen këtyre zhvillimeve duke forcuar apo përmirësuar rolin e tyre në këtë ekosistem sa të ri për kontekstin shqiptar, aq edhe kompleks.

RisiAlbania po mbështet Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës në ambicien e tyre për tu kthyer në një qëndër ekspertize në fushën e Shërbimeve të Karrierës duke hyrë në një partneritet afatgjatë me Universitetin e Lozanës. Pas një shkëmbimi të sukseshëm Nëntorin e vitit të kaluar në Zvicër, dy institucionet organizuan një workshop të përbashkët në Shqipëri gjatë muajit Prill.

Ky workshop kishte në fokus përmirësimin e masterit ‘Orientim Karriere’ të Fakultetit të Shkencave Sociale, duke ndjekur standardin e ofruar nga Universiteti i Lozanës, i cili ka një traditë të gjatë në përgatitjen e këshilluesve të karrierës, dhe në të njëjtën kohë i përshtatet dinamikave të tregut të punës në Shqipëri. Shkëmbimet e organizuara dhe puna e kryer gjatë kësaj kohe, kulmoi me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit midis institucioneve homologe.

Ky memorandum i hap rrugën një bashkëpunimi afatgjatë dhe përfshirës në fushën e këshillimit të karrierës dhe parashikon kërkim shkencor të dedikuar për zhvillimin e instrumentave që mbështesin punën e këshilluesve të karrierës, forcimin e lidhjes së këtij programi me tregun e punës, mundësi mobiliteti midis dy universiteteve etj. duke e kthyer Fakultetin e Shkencave Sociale në një institucion qëndror dhe avangard për zhvillimet në fushën e këshillimit të karrierës në Shqipëri.