Fakulteti i Shkencave Sociale-Universiteti i Lozanës: Mbështesim programin master për orientimin në karrierë
Viti i ardhshëm akademik e gjen Fakultetin e Shkencave Sociale me një program masteri të përmirësuar për “Orientimin në Karrierë”. Projekti i financuar nga qeveria zvicerane RisiAlbania mundësoi shkëmbimin e frytshëm të Fakultetit të Shkencave Sociale me Universitetin e Lozanës në Zvicër, që i hap rrugën një bashkëpunimi afatgjatë me një institucion që ka një traditë të jashtëzakonshme në përgatitjen e Këshilluesve të Karrierës.
Gjatë muajit nëntor u realizua një vizitë 2-ditore shkëmbimi eksperiencash në mjediset e Universitetit të Lozanës ku përfaqësues të stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe projektit RisiAlbania shkembyen ide që çojnë në hedhjen e bazave për krijimin e një shkëmbimi dhe bashkëpunimi afatgjatë mes dy universiteteve homologe.
“Ishte një vizitë e frutshme. Patëm mundësinë të shihnim dhe të mësonim se si zhvillohej programi master dhe si punonte zyra e karrierës dhe qendra e trajnimit nga një institucion i jashtëzakonshëm sikundër është Universiteti i Luzanës” – tha dekani i Fakultetit Prof. Dr. Edmond Rapti, pas përfundimit të vizitës.