Expert Lane, platforma e re e karrierës për fuqizimin e rinisë
Më 2 Mars, përfaqësues të komunitetit të biznesit në Shqipëri, institucioneve të arsimit të lartë, politikëbërës, projekte zhvillimi dhe të rinj dhe të reja u mblodhën në ceremoninë e përurimit të platformës më të re të karrierës Expert Lane. Platforma është krijuar nga Dynamics Partners me mbështetjen e RisiAlbania dhe prezantua përmes një aktiviteti të posaçëm mes grupeve të interesit.
Expert Lane është një platformë unike për tregun shqiptar dhe është përqendruar në fuqizimin e të rinjve për të zhvilluar karrierën e tyre. Ajo ofron këshillim karriere dhe trajnime përmes vlerësimeve të bazuara në teste psikometrike të njohura dhe të standardizuara si dhe interpretim nga këshilluesit e çertifikuar. Përfaqësuesit e RisiAlbania të pranishëm në këtë aktivitet, vlerësuan krijimin e kësaj platforme, të njohur si një sportel i vetëm- one-stop-shop për karrierën që ofron shërbim këshillimi 360 gradë, që nga vlerësimi, projeksioni I karrierës, trajnimet për punësim dhe gjetjen e pozicionit të përshtatshëm të punës.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me rezultatet e hulumtimit “Nevojat dhe sfidat e burimeve njerëzore në Shqipëri për talentet e rinj” , duke analizuar ndër të tjera, aftësitë më të kërkuara të buta, vështirësitë në procesin e rekrutimit, diversitetin dhe përfshirjen, me një fokus në sektorin e BPO-ve, Turizmit, Shërbimeve IT dhe telekomunikacionit. Gjatë këtij aktiviteti, aktorët e shërbimeve të karrierës morën pjesë në një tryezë diskutimi mbi shërbimet e karrierës dhe çështjet e punësimit në Shqipëri.
RisiAlbania është e lumtur të mbështesë Dynamics Partners si rekrutuesi i vetëm privat në Shqipëri që aktualisht po punon në drejtim të eksplorimit të potencialit të shërbimit të karrierës. Për më tepër, platforma pritet të ketë një qasje gjithëpërfshirëse për të rinjtë anembanë vendit, duke synuar edhe zonat rurale.