Drejt një audience më të madhe përmes kurseve inovative të trajnimit online në fushën e turizmit
Si mund të sigurohemi që edhe të rinjtë që jetojnë në zonat turistike si Gjirokastra, Saranda, Korça apo Shkodra të përfitojnë nga kurset profesionale të trajnimit që ofrohen kryesisht vetëm në kryeqytet, pa i shtuar kosto sikundër është transporti dhe fjetja?
Gladiola Dona nga Akademia e Turizmit dhe Mikpritjes e ka tashmë përgjigjen. Ajo bashkëpunon me RisiAlbania për të zhvilluar një platformë profesionale online që synon të përmirësojë aksesin për këto trajnime veçanërisht për të rinjtë jashtë Tiranës, duke reduktuar kostot me 75% dhe duke rritur mundësitë për punësim përmes përfitimit të aftësive që kërkohen sot nga tregu në sektorin e turizmit.
“Akademia ka trajnuar edhe më parë të rinj nga qytete të ndryshme që ndjekin kurset profesionale, por ata vinin nga qytete të largëta si Saranda, Tepelena, apo Theth dhe kjo kishte kosto të lartë sa i takon aspektit financiar, por edhe kohës së dedikuar. Për të reduktuar këto kosto dhe për të shkurtuar distancat gjeografike ne po zhvillojmë një platformë inovative trajnimi për kurse në fushën e turizmit, kryesisht në hoteleri si bar, restorant, recepsion dhe menaxher ushqimi, ku edhe kërkesa nga qytetet të tjera është më e madhe” – thotë Gladiola.
“Duke zhvilluar tregun e kurseve jo-formale të ofruara nga privatët përmes mbështetjes së programeve dhe metodave të mësimdhënies inovative ne po përmirësojmë aftësitë e të rinjve dhe po rrisim mundësitë e të rinjve për punësim” – shpjegon Ermira Shyti Drejtuese e Komponentit të Aftësive, Këshillimit të Karrierës dhe Ndërmjetësimit pranë projektit RisiAlbania.