Digjitalizimi i shërbimeve të punësimit të AKPA
Në vijim të bashkëpunimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive me projektin zviceran RisiAlbania, për përmirësimin e bashkëpunimit të zyrave të punës me biznesin, Z. Patrik Meier, Zëvendës Shef i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri i shoqëruar nga stafi i RisiAlbania, i dorëzoi Z. Klevis Hysa, Drejtor i Përgjithshëm AKPA 55 tableta, që do të mbështesin punën e stafit të zyrave të punës përgjegjëse për bashkëpunimin me biznesin në gjithë Shqipërinë.
Gjatë ceremonisë, fokusi u vendos në mënyrën se si ky instrument promovon më tej përpjekjet e Agjencisë drejt digjitalizimit të shërbimeve në kuadër të punësimit dhe ndërmjetësimit, dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënies me biznesin.
RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim SDC, ka mbështetur AKPA për zhvillimin e Metodologjisë të Bashkëpunimit me Biznesin e cila deri tani është implementuar në 22 zyra vendore dhe rajonale.
Tabletat do të jenë një instrument mbështetës për zbatimin në terren të metodologjisë, dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit të zyrave të punës ndaj biznesit.