Delegacioni shqiptar mëson nga praktikat më të mira nga Komitetet Sektoriale në ICT
Delegacioni shqiptar, i drejtuar nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dr. Olta Manjani, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të NAVETQ, Dr. Ejvis Gishti, dhe anëtarë të Komitetit Sektorial të Aftësive në ICT dhe Sekretariatit Teknik vizitoi Estoninë për të mësuar nga eksperienca e tyre në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT). 99% e shërbimeve shtetërore në Estoni ofrohen online dhe interneti konsiderohet si një të drejtë sociale. Ata takuan përfaqësuesit e Ministrisë së Edukimit dhe Kërkimit Estonez, Autoritetin e Kualifikimeve, Këshillin Sektorial të Aftësive në ICT, Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Telekomunikacionit, Agjencinë e Cilësisë për Arsimin, institucionet VET, organin e vlerësimit dhe Akademinë e Teknologjisë së Informacionit.
Gjatë këtyre takimeve, delegacioni shqiptar u njoh me praktikat dhe aspektet e funksionimit të VET në ICT dhe Këshillit të Aftësive në ICT. Vizita pati një përmbajtje të pasur mbi praktikat e mira nga institucionet estoneze dhe solli një shkëmbim dhe diskutim frytdhënës midis përfaqësuesve shqiptarë dhe estonezë. Kjo vizitë studimore u mbështet nga RisiAlbania, në koordinim me Autoritetin Estonez të Kualifikimeve.