Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, si dhe Aftësive Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, organizuan në datat 10-11 Maj 2022, panairin e parë të profesioneve, Sheshi Italia, Tiranë.

Panairi i profesioneve, i pari i llojit të tij në Shqipëri u çel ditën e Martë datë 10 Maj, ora 10:00 me pjesëmarrjen e Znj. Delina Ibrahimaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Z. Patrik Meier, Zëvendës Kreu i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, dhe Z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë.

Panairi i profesioneve pati për qëllim njohjen e të rinjve dhe të rejave me profesionet dhe botën e  punës. Në një format tërheqës dhe interaktiv, ky është panairi i parë që organizohet me qëllim nxitjen e dëshirës te të rinjtë për tu njohur me larminë e profesioneve që në mosha të hershme. Ky event nxjerr gjithashtu në pah vlerën e lidhjes së edukimit për karrierë dhe informacionit të tregut të punës në një mënyrë efektive.

Nën sloganin ‘Bëj zgjedhjen tënde…’ në datat 10-11 Maj, përgjatë orarit 10:00-19:00,  ofruesit e programeve të edukimit dhe trajnimit të niveleve të ndryshme u ofruan vizitorëve prezantime dhe demonstrime interaktive të një sërë profesionesh të grupuara në tema si Turizmi, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, Ushqimore, Ndërtimtari dhe Industri.

Panairi shërbeu dhe si hapësirë për të lidhur të rinjtë me institucionet ku ata mund të marrin shërbime të dedikuara në orientim karriere siç është Zyra e Karrierës, Bashkia Tiranë; edukim formim profesional dhe punësim nëpermjet Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, si edhe informacione mbi larminë e profesioneve dhe kualifikimeve nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.

RisiAlbania, projekti novator i punësimit të të rinjve i mbeshtetur nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që prej 2013 punon për përmirësimin e shërbimeve të tregut të punës, dhe prej 2017 ka në fokus zhvillimin e shërbimeve të karrierës duke kontribuar që të rinjtë të marrin vendime sa më të informuara në lidhje me rrugëtimin  e tyre në edukim dhe punësim.

Krahas prezantimit të profesioneve në stenda, përgjatë panairit u organizuan edhe dy forume paralele me fokus nxitjen e zhvillimeve të mëtejshme në ekosistemin e shërbimeve të karrierës në Shqipëri, me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm në këtë fushë.

Për më shumë vizito http://panairiprofesioneve.risialbania.al/ dhe bëj zgjedhjen tënde!