Bashkëpunimi privat-publik promotor i zhvillimit të turizmit në Gjirokastër
Në 28 Janar 2020, shoqata Visit-Gjirokastra organizoi mbledhjen e parë të asamblesë me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të turizmit, bashkitë e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës, Këlcyrës, Memaliaj, Dropullit dhe Libohovës, bizneseve private, operatorët turistikë dhe përfaqësues të hoteleve.
“Zhvillimi i turizmit është prioritet për të gjitha bashkitë e Qarkut Gjirokastër dhe jemi të kënaqur teksa shohim që shoqata Visit-Gjirokastra ka një vizion për të ardhmen. Portali visit-gjirokastra.com është një mjet strategjik për të paraqitur asetet e zonës” – tha kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi në fjalën e tij të hapjes.
Gjatë aktivitetit u prezantua puna dhe arritjet e shoqatës si dhe vizioni për vitet e ardhshme që synon transformimin e Gjirokastrës në një destinacion turistik. “Shohim që Gjirokastra po sjell inovacion përmes bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat”- vlerësoi Drejtori i Projektit të SDC-së RisiAlbania Stefan Joss.
Me portalin Visit-Gjirokastra.com porta kryesore e rajonit për turistët, krahinat e largëta po përfitojnë nga promovimi i rajonit si një i tërë, ndërsa angazhohen bizneset dhe shërbimet rurale, një garanci kjo se turistët do të vazhdojnë të kthehen.
RisiAlbaniia po mbështet shoqatën dhe së shpejti një ekip i Visit-Gjirokastra do të marrë pjesë në një nga trajnimet më të rëndësishme për Turizmin e Qëndrueshëm të organizuar nga Këshilli Global i Turizmit të Qëndrueshëm – GSTC. Njohuritë e fituara do të ndihmojë në shndërrimin e Gjirokastrës në destinacionin e parë turistik të qëndrueshëm në Shqipëri.