Alberghi Difussi: Një model turistik inovativ dhe rezistent ndaj krizave do të pilotohet në Krujë
Në kuadëri të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe punësimit të të rinjve në zonat rurale, RisiAlbania po mbështet zbatimin e modelit italian Alberghi Diffusi në fshatrat shqiptarë. Modeli Alberghi Diffusi synon të transformojë fshatrat e braktisur në qendra autentike turistike, ku turisti ka mundësinë të përjetojë kulturën, historinë, natyrën dhe mënyrat e jetesës lokale. Nisma rigjallëron ndërtesat e braktisura në fshatra si strehim turistik në mënyrë që të ringjallë fshatrat, të stimulojë aktivitetin ekonomik dhe të ndalojë shpopullimin e këtyre zonave rurale. Koncepti është miratuar dhe zbatuar me sukses në Itali për 20 vjet, dhe në këto vitet e fundit është duke u eksportuar në vende të tjera si Gjermania, Zvicra, Spanja dhe Kroacia.
Zhvillimi i turizmit rural të Alberghi Difussi (AD) është një përgjigje e mirë edhe për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 për përshtatjen në tregun e ri të turizmit pas periudhës krizës. Kjo, pasi udhëtarët do të preferojnë ture të qetë, në grupe më të vogla duke u përqëndruar më shumë në vizitat e zonave rurale larg nga qendrat urbane të mbipopulluara.
Gjatë vitit 2020, RisiAlbania ftoi Alberghi Difussi Itali për të eksploruar idenë e zgjerimit të modelit të tyre në Shqipëri si dhe për të bërë një vlerësim të plotë të disa fshatrave shqiptare. Ekipi i përbërë nga ekspertë të AD, RisiAlbania dhe përfaqësuesit e komuniteteve lokale, kanë rënë dakord për zonën e vjetër historike brenda Kalasë Mesjetare të Krujës. Kjo zonë është vlerësuar të ketë potencialin për të filluar pilotimin e dhe për të qenë hapësira e parë sipas modelit Alberghi Difussi në Shqipëri!
Pas organizimit të ngjarjeve të ndryshme ndërgjegjësuese të tilla si takime dhe seminare, në fillim të vitit 2021, një grup prej shtatë pronarëve të shtëpive lokale kanë rënë dakord të bashkëpunojnë dhe t’i bashkohen modelit, duke zgjedhur një nga pronarët që të jetë përfaqësuesi i tyre në regjistrimin dhe menaxhimin e Albergo-s së re Diffuso-Kruja. Regjistrimi dhe procesi i zbatimit do të finalizohet gjatë vitit 2021, duke synuar fillimin e funksionimit dhe hapjen e dyerve për grupet e para të turistëve më vonë këtë vit.