Partneritetet Strategjike për Turizmin në Qarkun e Korçës – Tryezë e Rrumbullakët
Korçë, 17 Prill 2025
Helvetas, në bashkëpunim me Partners Albania dhe Këshillin e Qarkut Korçë, organizoi një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi forcimin e partneriteteve strategjike në turizëm dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme rajonale, siç janë Organizatat e Menaxhimit të Destinacionit (DMO).
Znj. Edlira Muedini, Menaxhere e Helvetas për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një turizmi gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm, i cili gjeneron përfitime konkrete për komunitetet vendore dhe rrit ndikimin e bizneseve lokale në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Diskutimet u përqendruan veçanërisht te fuqizimi i sektorit privat, me pjesëmarrje aktive të operatorëve turistikë, strukturave të akomodimit, prodhuesve lokalë, agjencive të udhëtimit, si dhe Universitetit të Korçës – Fakulteti Ekonomik, Departamenti i Marketingut dhe Turizmit. U theksuan sfidat dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial, si dhe nevoja për forcimin e mekanizmave koordinues si DMO-ja, që do të mbështesë zhvillimin e produkteve turistike, marketingun e përbashkët dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Znj. Suela Tahiraj, eksperte e turizmit të qëndrueshëm ndau praktika ndërkombëtare mbi rolin dhe funksionet e DMO-ve, qasjen e “Green Destinations”, si dhe rëndësinë e një qasjeje të balancuar mes mjedisit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik në turizëm.
Gjithashtu, Znj. Kristina Fidhi, drejtuesja e Bordit të Visit Gjirokastra, ndau përvojat dhe mësimet e nxjerra nga ky partneritet rajonal, duke ofruar shembuj konkretë të bashkëpunimit publik-privat dhe të funksionimit të një strukture të suksesshme DMO.
Duke u ndalur në bashkëpunimin ndërsektoral, Z. Erjon Nexhipi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, theksoi se turizmi është një përgjegjësi e përbashkët dhe bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë dhe të strukturuar mes bashkive dhe sektorit privat, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së ofertës turistike dhe krijimin e një qasjeje të koordinuar për zhvillimin rajonal.
Përfaqësues nga bashkitë Korçë, Pustec, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec, së bashku me përfaqësues të bizneseve lokale, shprehën gatishmërinë për të çuar përpara ndërtimin e një partneriteti rajonal funksional, që promovon turizmin autentik dhe të qëndrueshëm, si dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe burimeve natyrore.
Kjo tryezë shënoi një hap konkret për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të qëndrueshëm mes institucioneve publike, sektorit privat dhe botës akademike, në funksion të një zhvillimi më të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe konkurrues të turizmit në Qarkun e Korçës.