Leksion i hapur mbi Bujqësinë Rigjeneruese në Shqipëri: Si pjesë e vizionit të qëndrueshmërisë në sektorin e BMA-ve
Për herë të parë, Helvetas dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) ofruan stafit akademik dhe studentëve të nivelit master njohuri të vlefshme mbi Bujqësinë Rigjeneruese, të prezantuara nga Prof. Bernhard Streit nga Universiteti i Shkencave të aplikuara të Bernës.
Bujqësia Rigjeneruese po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mbarë Evropën, e mbështetur nga platforma të rëndësishme si Platforma SAI (Iniciativa e Bujqësisë së Qëndrueshme). Gjatë prezantimit të tij, Prof. Streit ndau shembuj praktikë të zbatimit të këtij modeli inovativ, që ka për qëllim rikuperimin dhe përmirësimin e shëndetit të tokës, biodiversitetit dhe qëndrueshmërisë në bujqësi.
Në Shqipëri, falë angazhimit dhe mbështetjes së aktorëve kyç si Griffith Foods dhe Platforma SAI, vendi do të ketë së shpejti fermën e parë që zbaton Bujqësinë Rigjeneruese, në përputhje me kornizën e prezantuar nga Platforma SAI.
Ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm në promovimin e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, por edhe në pozicionimin e Shqipërisë si një kontribuues kyç në zhvillimet e avancuara bujqësore në Evropë.