Thirrje për Aplikime

Konferenca Kombëtare mbi Sigurinë Kibernetike

AKSK organizoi Konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, duke mbledhur ekspertë të sigurisë, përfaqësues të sektorit publik dhe privat, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat dhe strategjitë për mbrojtjen e hapësirës digjitale të Shqipërisë.

Panelet e konferencës trajtuan temat më aktuale si mbrojtja e infrastrukturave kritike, përmirësimi i sigurisë në sektorët e energjisë dhe financave, dhe përfitimet e Shqipërisë nga adoptimi i direktivës NIS2. Panelistët ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për përballimin e sfidave kibernetike dhe fuqizimin e sigurisë rajonale. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në formimin profesional, duke nënvizuar nevojën për përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e sigurisë kibernetike dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në këtë sektor.

AKSK riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë për të qenë një lider rajonal në sigurinë kibernetike, duke ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt digjitale për vendin dhe rajonin.

Kjo konferencë u mbështet nga projekti “Qeverisja e mirë e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor,” financuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe implementuar nga Qendra e Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë - DCAF, dhe nga projekti Risi Albania i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), implementuar nga Helvetas.