GreenPacting 2025: Drejt një të Ardhmeje të Qëndrueshme
GreenPacting 2025 mblodhi së bashku inovatorë, ofrues trajnimi, universitete dhe drejtues biznesi për të eksploruar strategji praktike për inovacionin e gjelbër dhe praktikat e qëndrueshme të biznesit. I organizuar nga Helvetas dhe Innovation Management Academy Albania, ky aktivitet shërbeu si një platformë dialogu mbi mënyrat se si sektorë të ndryshëm mund të bashkëpunojnë për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në Shqipëri.
Duke përfaqësuar Helvetas, Edlira Muedini theksoi arritjet e projektit RisiAlbania, mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili është fokusuar vitet e fundit në përgjigje të zhvillimeve globale edhe drejt gjelbërimit të vendeve të punës për të rinjtë dhe forcimin e partneriteteve me ofruesit e trajnimeve. Ermira Shyti, Drejtuese e Komponentit të Aftësive dhe Karrierës nënvizoi rëndësinë e përshtatjes dhe reagimit ndaj tregut—jo vetëm nga bizneset dhe institucionet e trajnimit apo formimit profesional, por edhe nga vetë të rinjtë. Ajo theksoi se edhe gjuha që përdorim në shqip duhet të evoluojë për të pasqyruar realitetet e ekonomisë së gjelbër.
Aktiviteti pasqyroi gjithashtu histori frymëzuese nga sipërmarrës që po udhëheqin rrugën drejt inovacionit të gjelbër. Përfaqësues biznesi si Gentian Zotaj (Frut'Za) dhe Aneida Bicja (DollAPP) ndanë përvojat e tyre në nisjen e start-up-eve të gjelbra, duke theksuar se suksesi nuk matet vetëm me fitimin, por me pasionin dhe komunitetin që krijohet. Historitë e tyre treguan se iniciativat e bazuara në qëllim mund të sjellin ndikim domethënës dhe të nxisin rritje të qëndrueshme.
Arsimi dhe angazhimi i të rinjve ishin tema qendrore të diskutimit. Majlinda Bara, nga Universiteti Europian i Tiranës, prezantoi nismën e universitetit për të zhvilluar Kurrikula të Gjelbra, duke filluar me trajnimin e trajnerëve dhe më pas zgjerimin në projekte më të gjera për ndërtimin e kapaciteteve. Ndërkohë, aktivistja e re Denisa Kasa kujtoi pjesëmarrësit për fuqinë e veprimit individual dhe rëndësinë e ngritjes së zërit për një të ardhme të qëndrueshme.
E mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) përmes projektit të saj për Punësimin e të Rinjve, i zbatuar nga Helvetas dhe Partners Albania for Change and Development, GreenPacting 2025 ishte më shumë se një aktivitet—ishte një thirrje për veprim. Duke bashkuar zëra dhe ide të ndryshme, aktiviteti ritheksoi mesazhin se tranzicioni i gjelbër është një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.