Hartëzimi i mundësive për ekonominë digjitale në Shqipëri
A janë gati kompanitë shqiptare që të përqafojnë transformimin digjital? Një studim i fundit analizoi pesë sektorë të ekonomisë shqiptare dhe nxori në pah fushat me potencialin më të lartë për përmirësim.
Digjitalizimi është një ndër shtytësit kryesorë të inovacionit, konkurrueshmërisë dhe rritjes në ekonominë botërore. Ekonomia digjitale është e barasvlershme me 15,5% të PBB-së botërore dhe po rritet 2,5 herë më shpejt sesa PBB-ja botërore gjatë 15 viteve të fundit (Banka Botërore).
Digjitalizimi është një tjetër faktor kontribuues për inovacionin e ekonomisë shqiptare, ku mbi 98% e bizneseve përdorin kompjutera dhe internet. Megjithatë, kufizimet gjatë pandemisë së COVID-19-s krijuan pengesa për të
gjithë sektorët në Shqipëri, që u gjendën të papërgatitur për të përballuar sfidat e reja. Pavarësisht kësaj, ato krijuan edhe mundësi dhe fuqizuan kauzën për digjitalizimin, duke i nxitur ndërmarrjet që ta përfshinin atë në operacionet e tyre.
RisiAlbania, projekti për punësimin e të rinjve në Shqipëri, e shfrytëzoi këtë moment për të kryer një Studim për Vlerësimin e Tregut lidhur me digjitalizimin, që u fokusua te pesë sektorë: financat, agrobiznesi, turizmi, nënkontraktimi i procesit të biznesit (BPO) dhe prodhimi. Studimi, që u krye nga Qendra e Inovacionit Protik, analizoi më pas veçmas anën e ofertës, sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Kampioni
përfshiu 180 kompani të përzgjedhura nga rreth 57.000 kompani në mbarë vendin.
Studimi kishte për qëllim vlerësimin e zbatimit aktual dhe disponueshmërisë së zgjidhjeve digjitale, dhe nxitjen e aktorëve të tregut për të investuar në digjitalizim duke u bazuar te prova të informuara.
Dhe fituesi është...
Studimi tregoi se sektori financiar është një ndër sektorët më të digjitalizuar në ekonominë shqiptare. Shumica e kompanive kanë staf të posaçëm për menaxhimin e sistemeve të informacionit dhe kanë zhvilluar strategji dhe aftësi për proceset e digjitalizimit. Krahas kësaj, mbi 60% e kompanive në këtë sektor shprehen se do ta rrisin investimin e tyre në transformimet digjitale të kompanive përkatëse me deri në 25% të të ardhurave të tyre.
Sektori i BPO-së është në vend të dytë, por studimi tregoi se niveli drejtues i tij është më pak i qartë sa u përket planeve për transformimin digjital: thuajse 40% nuk e dinë se sa do të investojnë në 12 muajt e ardhshëm.
Sa planifikoni të investoni në transformimin digjital në 12 muajt e ardhshëm?
Në të majtë, rezultatet e sektorit financiar; në të djathtë, rezultatet e sektorit të BPO-së.
Ku gjendet potenciali: Sektorët me nivel të ulët digjitalizimi
Sektori i agrobiznesit është sektori më pak i digjitalizuar në këtë studim. Të dhënat e anketimit tregojnë se investimet e këtij sektori në proceset digjitale janë tejet të ulëta dhe të kufizuara vetëm për funksionet e kontabilitetit për biznesin, komunikimet (faqe interneti, e-mail, media sociale), dhe te marketingu digjital, në një shkallë më të vogël. Pengesa kryesore ndaj përfitimeve të digjitalizimit nuk është vetëm buxheti i kufizuar i kompanive, por edhe mungesa e aftësive për të përdorur teknologjitë digjitale. Më pak sesa një e katërta e kompanive të anketuara në këtë sektor zotërojnë aftësitë dhe burimet për të realizuar projektet e tyre digjitale.
Planet e tyre për të ardhmen janë të cunguara: niveli drejtues nuk ka një vizion të qartë lidhur me këtë çështje. Vetëm 4% e kompanive kanë hartuar strategji digjitale. Vetëm 12% e kompanive planifikojnë të rrisin investimin në digjitalizim me deri në 10% të të ardhurave të tyre.
Sektori i hotelerisë dhe turizmit është një tjetër sektor me nivel të ulët digjitalizimi, por ai është më i qartë dhe optimist sa u përket planeve për të ardhmen: 70% e kompanive dëshirojnë të investojnë deri në 35% të të ardhurave të tyre në transformimin digjital gjatë vitit të ardhshëm. Ato janë të interesuara në mënyrë të veçantë për të investuar në marketingun digjital dhe pagesat digjitale. Ky interes është i kuptueshëm duke marrë parasysh se shumica e kompanive në sektor kanë faqe interneti, por pak prej tyre kanë punësuar staf të posaçëm për marketingun digjital. Në fakt, shumica e bizneseve ua caktojnë këto detyra punonjësve ekzistues, të cilët nuk janë të specializuar për marketingun digjital.
Hartëzimi i prioriteteve për investimin në digjitalizim
Studimi tregoi se sektorë të ndryshëm kanë nivele të ndryshme qartësie dhe ambicieje kur bëhet fjalë për shkallën e investimit të tyre në transformimin digjital. Po në çfarë konkretisht duan bizneset të investojnë? Sipas studimit, investimet kryesore të kompanive do të fokusohen te marketingu digjital (hoteleri-turizmi, BPO, financiar, prodhimi dhe agrobiznesi), tregtia elektronike (financiar, agrobiznesi), analiza e të dhënave (BPO, financiar), dhe automatizimi i proceseve robotike (prodhimi). Këto investime priten të sjellin rritje të të ardhurave, të përmirësojnë imazhin e markës së kompanive, dhe të përmirësojnë vendimmarrjen e bazuar tek analiza e të dhënave.
Në fakt, është interesante që 86% e kompanive të TIK-ut të anketuara u shprehën se shërbimet digjitale kryesore që do të ofrojnë së shpejti janë në fushën e tregtisë elektronike, pagesave digjitale dhe marketingut digjital, që kryesisht përputhet me kërkesën e sektorëve ekonomikë që analizuam. Megjithatë, kompanitë e TIK-ut pranojnë se nuk kanë staf të mjaftueshëm për zbatimin e këtyre planeve dhe se u duhet të rekrutojnë punonjës të rinj.
Transformimi digjital: një ndryshim në mendësi
Shkaku rrënjësor kryesor për potencialin e nënshfrytëzuar të digjitalizimit në sektorët e turizmit dhe agrobiznesit është se kompanitë nuk besojnë se investimi në digjitalizim do t'i shërbejë biznesit. Megjithatë, ky qëndrim po ndryshon duke qenë se ato po planifikojnë të investojnë më tepër në projekte digjitalizimi. Prandaj, kompanitë e TIK-ut në Shqipëri duhet të zhvillojnë dhe promovojnë rëndësinë për biznesin sa i përket investimit në zgjidhje digjitale
në këta sektorë.
Shkaqe të tjera kryesore janë mungesa e aftësive teknike dhe strategjisë digjitale. Digjitalizimi nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit të stafit dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit. Studimi nënvizon se digjitalizimi kërkon një ndryshim në mendësi, që duhet të jetë pjesë e kulturës organizative. Investimet dhe ngritja e kapaciteteve të nivelit drejtues të bizneseve dhe ekipeve përkatëse në të gjithë sektorët duhet të përmirësohen për të rritur nivelin e kapacitetit të tyre për zhvillimin e projekteve digjitale. Zhvillimi i aftësive digjitale nuk duhet të synojë vetëm anën e ofertës, sektorin e TIK-ut, por edhe anën e kërkesës, sektorët e ndryshëm ekonomikë, me qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive të digjitalizimit.
Digjitalizimi u shton vlerë produkteve dhe shërbimeve, dhe u mundëson kompanive të zhvillojnë inovacionin dhe të rrisin konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Është thelbësore që digjitalizimi të shihet jo vetëm si mekanizëm rritjeje, por edhe si një strategji që do të sjellë modele biznesi të qëndrueshme, çka do të krijojë vende të reja pune për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri.
Bjona Ziaj, Andi Stefanllari dhe Lutjona Lula punojnë për RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i zbatuar nga Helvetas dhe Partnerët Shqipëri.