Takimi i parë i Komitetit Sektorial të Aftësive në Teknologji Informacioni dhe Komunikim (TIK) u mundësua nga RisiAlbania në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Aftësive, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFP) me pjesëmarrjen e anëtarëve të zgjedhur të Komitetit Sektorial të Aftësive në TIK, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), si dhe ekspertë të pavarur.

Në fjalën përshëndetëse të Zëvendës Ministrit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Znj. Olta Manjani, u theksua se po punohet për strategjinë e re ku një nga shtyllat kryesore është përfshirja e biznesit në hartimin e standardeve të kualifikimeve si dhe hartimin/rishikimin e kurrikulave për të qenë sa më afër nevojave të tregut të punës.

Në fjalën mirëseardhëse të Drejtorit të Përgjithshëm të AKAFPK-së, Znj. Ejvis Gishti Shehi, u theksua se ka një vullnet të mirë të bashkëpunimit midis institucioneve dhe biznesit për të rritur konkurimin dinjitoz të individëve në tregun e punës.

Takimi synoi organizimin (koordinimin) e aktorëve në nivel kombëtar për të kontribuar në mënyrë efektive për identifikimin e kualifikimeve profesionale të reja, si dhe përditësimin e atyre ekzistuese në TIK. Në takim u prezantuan objektivat dhe kuadri ligjor i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe ai i Komiteteve Sektoriale.
Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të këtij komiteti sektorial shënoi fundin e këtij takimi.