Përshpejtimi i axhendës dixhitale dhe inovacionit në sipërmarrje – koha për angazhimin e të gjitha palëve
RisiAlbania në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit të Investimeve zhvilluan një tryezë konsultimi me kompani shqiptare mbi sfidat dhe mundësitë në rritje për sektorin privat post-Covid-19, si një epokë e re dixhitale karakterizuar nga ndryshime të shpejta në teknologji.
Në hapje të mbledhjes, Sekretariati i Këshillit të Investimeve bëri një prezantim të gjetjeve të një studimi të kryer në mars 2021 mbi përshpejtimin e agjendës dixhitale në Shqipëri. Në këtë studim, kompanitë shqiptare perceptojnë si pengesa kryesore për zhvillimin e produkteve/shërbimeve innovative, koston e lartë të inovacionit, mungesën e fondeve dhe mungesën e profesionistëve. Ndonëse, shumica e kompanive (67%) konfirmuan një interes të lartë nga ana e stafit të tyre për të mësuar aftësi të reja, më shumë se gjysma e kompanive të intervistuara (55%) deklaruan se nuk kishin një fond të dedikuar për trajnimin e punonjësve. Mungesa e aftësive në personel zgjidhet kryesisht përmes ri-organizimit brenda kompanisë dhe rritjes së trajnimeve brenda kompanisë. Drejtuesit e kompanive besojnë se është e rëndësishme të investosh në inovacion dhe teknologji, si mjete të rëndësishme për të rritur xhiron e biznesit të tyre, por buxhetimi i tyre në planet e biznesit bëhet vetëm sipas rastit (vetëm 15% e kompanive u shprehën se kanë një fond të dedikuar për K&ZH; ndërsa 75% deklaruan se dedikojnë fonde të tilla në mënyrë sporadike).
Gjatë diskutimeve, kompanitë shqiptare pranuan që dixhitalizimi ka sjellë përfitime të mëdha në drejtim të lehtësimit të aksesit në klientelën e huaj. Por për të qenë pjesë e lojës, kompanitë u shprehën se duhet të rrisin profesionalizmin dhe të ofrojnë trajnime dhe kushte më të mira për punonjësit e tyre, të përmirësojnë shërbimet dhe të fusin vazhdimisht teknologji të reja. Ndërsa mund të vihet në diskutim nëse klientela shqiptare është e gatshëm për t’u përfshirë në tregtinë elektronike, kompanitë u shprehën se duhet të shikojnë fillimisht tek vetja nëse janë zhvilluar mjaftueshëm për të qenë në përputhje me “rregullat e reja” të lojës. Kompanitë shqiptare u shprehën se tashmë ato duhet të përmirësojnë aftësitë dhe njohuritë e tyre për të ofruar një shërbim cilësor në mënyrë që të nxisin klientelën vendase të blejë në faqet shqiptare.
Platformat dixhitale të pagesave kanë krijuar produkte që përmirësojnë aksesin në financim për NVM-të. Megjithatë, aksesi në financim është një sfidë e madhe për sektorin pasi rreth 60% e popullsisë (sipas Bankës Botërore) nuk ka një llogari bankare. Sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore dhe Universitetit të Kembrixhit (2020), sektori është i pazhvilluar në Ballkanin Perëndimor, me vetëm 65 kompani fintech në Ballkan dhe vetëm 11 në Shqipëri (nga këto vetëm 5-6 janë aktive). Disa nga sfidat kryesore të parashtruara nga kompanitë shqiptare fintech kishin të bënin me aksesin në informacion, aksesin në të dhënat dhe sistemet qeveritare, si dhe aksesi në kapital. Në sektorin e turizmit, kompanitë shqiptare u shprehën se hasin vështirësi me aksesin e kufizuar në sistemet e pagesave, ku PayPal shihet shpesh si opsioni i vetëm që pranon pagesa me kartë krediti nga jashtë vendit—një shembull konkret ku dixhitalizimi mund të ndihmojë mjaft sektorin.
Bashkëpunimi i Këshillit të Investimeve me RisiAlbania ka filluar në vitin 2017, në kohën kur RisiAlbania po avokonte për avantazhin konkurrues të sektorit të BPO, ndërsa Sekretariati avokonte për cilësinë e aftësisë punëtore në vend si një stimul për tregun lokal. Më vonë në vitin 2019, Këshilli i Investimeve konsideroi sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) si një sektor prioritar për vendin, duke vijuar (2020) me ngritjen e një grupi pune për të vlerësuar potencialet për investime në sektorin e TIK (me fokus dixhitalizimin), me qëllimin përfundimtar të krijimit të kushteve të favorshme për investime në sektor.
***
Për të aksesuar regjistrimin e këtij webinar, kliko këtu.