ASPA dhe RisiAlbania së bashku për nxitjen e zhvillimit rural përmes advokimit
12 bashki dhe institucionet e linjës diskutuan për nxitjen e zhvillimit rural përmes advokimit. “Nxitja e zhvillimit rural përmes advokimit” ishte tema e workshopit të organizuar nga Shkolla Shqiptare të Administratës Publike me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Ky workshop u zhvillua me përfaqësues nga bashkitë Skrapar, Prrenjas, Pogradec, Librazhd, Delvinë, Vlorë, Përmet, Dibër, Kukës, Mirditë, Roskovec dhe Tepelenë, si dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Tryeza e diskutimit në këtë takim, mundësoi njohjen me mjetet bazë për analizat e politikave ekonomike në zonat rurale. Tryeza trajtoi dhe mënyrën e aplikimit të këtyre mjeteve për problematika të orientuara drejt zgjidhjeve dhe aftësimin në hartimin e planeve të veprimit për ndikimin e politikave.
Njohja me praktikat më të mira vendase dhe të huaja në nxitjen e zhvillimit rural, ishte një pikë tjetër e rëndësishme e këtij takimi, ku ndër të tjera u soll në fokus eksperienca e mirë që kanë krijuar disa bashki, falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së RisiAlbania, në diversifikimin e burimeve natyrore në potenciale të zhvillimit bujqësor dhe të ardhurave ekonomike për familjet fermere. Siç është konkretisht rasti i bashkisë Ersekë në zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore, që ka gjeneruar punësim dhe rritje të eksporteve.