Standardizimi i Shërbimeve të Karrierës në Universitete: Ura lidhëse me tregun e punës
Të rejat dhe të rinjtë në Shqipëri përballen me vështirësi për t’u orientuar dhe integruar në tregun e punës. Zhvillimi i shërbimeve të karrierës dhe ofrimi profesional i këtyre shërbimeve për të rinjtë, për t’u mundësuar një vendimarrje të mirëinformuar është pikërisht dhe fokusi i punës me Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Përgjatë një viti, 3 kërkuese shkencore të këtij fakulteti, Dr. Nada Kallçiu, Dr. Livia Nano dhe Dr. Eralda Zhilla kanë përshtatur për kontekstin shqiptar tre instrumentë ndërkombëtarë, nën supervizimin e Prof. Dr. Jerome Rossier i Universiteti të Lozanës, Zvicër.
Instrumentët u prezantuan gjatë workshopit online, me përfaqësues nga aktorë të ndryshëm të sektorit publik dhe privat, të cilët shprehën interesin për të përdorur materialet gjatë punës së tyre në këshillimin e të rinjve. Instrumentët e përshtatur janë:
- Inventari i matjes së interesave (PGI);
- Pyetësori i Vështirësisë në Procesin e Vendimmarrjes për Karrierën (CDDQ);
- Analiza e kërkesës për orientim (ADOR).
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prof. Rossier, kërkueset e FSHS janë në proces botimi të artikujve shkencorë, në revistat shkencore më prestigjoze të fushës.