Forcimi i bashkëpunimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), veçanërisht i zyrave të punës me biznesin, ishte tema e diskutimit të frytshëm midis z. Patrik Meier, Zëvendës Kreu i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri dhe znj Elira Çaushi, Drejtore e Agjencisë.

Takimi i realizuar në 5 qershor në ambjentet e Agjencisë AKPA u fokusua mbi vizionin e Agjencisë për të rritur më tej performancën e zyrave të punës në shërbimin ndaj biznesit dhe punëkërkuesve.

Vëmëndje iu kushtua bashkëpunimit mes AKPA dhe RisiAlbania, veçanërisht rolit mbështetës që RisiAlbania ka luajtur për arritjen e këtij vizioni nëpërmjet produkteve të integruara ose në proces implementimi si: zhvillimi i Metodologjisë së bashkëpunimit me biznesin i unifikuar për të gjitha zyrat e punës; zhvillimi i Sistemit të Matjes dhe Monitorimit të Kënaqësisë së Klientit për të mundësuar përmirësimin e vazhduar të shërbimeve AKPA, apo mbështetja gjatë procesit që Shërbimi Kombëtar i Punësimit kaloi gjatë transformimit në Agjenci Kombëtare Punësimi.

Qëndrueshmëria e këtyre zhvillimeve qëndron në angazhimin e Agjencisë për të zhvilluar, standardizuar dhe institucionalizuar të gjitha produktet dhe shërbimet dhe për ti qëndruar sa më pranë nevojave të biznesit. Në këtë kuadër, AKPA me mbështetjen e RisiAlbania është aktualisht e angazhuar për të zhvilluar një paketë informative dhe praktike për ti ardhur në ndihmë biznesit të impaktuar nga masat e marra për Covid-19.