Trajnim për punësim për vajzat e margjinalizuara – Albanian ICT Academy
Përfshirja e të rinjve vulnerabël dhe të marxhinalizuar në tregun shqiptar të punës është fokusi i ndërhyrjeve të RisiAlbania, duke synuar të mbështesin ata që kanë më shumë nevojë, më të izoluarit. Ndërhyrjet e synuara të GSI janë edhe më të rëndësishme në situatën aktuale, pasi grupet e disavantazhuara dhe vulnerabël janë ata që preken më shumë nga pasojat e COVID-19. Në përgjigje të këtij objektivi, RisiAlbania bashkëpunoi me Albanian ICT Academy, duke synuar trajnimin dhe punësimin e vajzave të reja që kanë humbur përkujdesjen prindërore dhe janë në tranzicion për të lënë jetimoret për shkak të moshës së tyre. Në mënyrë simbolike, fillimi i trajnimit në internet përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK. Hatixhe Bilibashi, drejtuese e Albanian ICT Academy në Shqipëri shprehet:
“Ideja fillestare erdhi kur mësuam që vajzat dhe djemtë në jetimore pasi mbushin moshën 18 vjeç duhet të largohen nga institucioni dhe që nga ai moment duhet të sigurojnë gjithçka për jetesën e tyre. Ne gjithmonë kemi pasur gatishmërinë për të promovuar vajzat në fushën e TIK, veçanërisht ato që janë më të rrezikuara. Ndaj, promovimi më i mirë për këto vajza të reja është duke i pajisur ato me aftësi të lidhura me punën dhe një profesion të sigurt për të ardhmen e tyre. Ideja është mbështetja e vajzave me një profesion që do t’u sigurojë atyre jo vetëm të ardhura, por edhe pavarësi për një jetë më të sigurt në të ardhmen e tyre. “Falë teknologjisë, sot gjithçka është e mundur,” thekson drejtuesja e Akademisë.
Edhe pse dixhitalizimi është përhapur në shumë pjesë të botës, njohuritë dhe të mësuarit nuk janë akoma lehtësisht të aksesueshme për shumë të rinj. Është e rëndësishme të mbajmë parasysh faktin se grupet vulnerabël dhe të marxhinalizuar janë ata më të prekurit nga pandemia.
“Kursin e Dizajnit Grafik nga Albanian ICT Academy e zhvillova gjatë karantinës. Kur e fillova për herë të parë, isha shumë e lumtur sepse më në fund mund të përqendrohesha diku tjetër dhe jo pandemia. Fillimisht ishte e çuditshme të zhvilloja mësimin në internet, por u mësova shpejt dhe arrita të përvetësoja programe të dizajnit grafik. Më vonë kemi pasur rastin të zhvillojmë kursin në klasa dhe të aplikojmë njohuritë tona. Unë gjithmonë kam dashur të jem një dizajner dhe tani e ndiej që kjo lëndë më përgatiti të jem një dizajner profesionist për tregun. ”- deklaron Sindi Blaceri, një pjesëmarrëse 19-vjeçare.
Në RisiAlbania jemi të vetëdijshëm se adresimi i nevojave të grupeve më të rrezikuara si të rinjtë, familjet e të cilëve janë goditur fuqishëm nga pandemia, ose vajzat që kanë humbur përkujdesjen prindërore, duke mbështetur trajnimin e tyre është një zgjidhje emergjente në këtë situatë. Sidoqoftë, në planin afatgjatë, është e rëndësishme të punohet për financimin e qëndrueshëm të zhvillimit të aftësive. Kjo është ajo ku RisiAlbania, ka dhe do të mbajë fokusin e saj gjatë lidhjes së marrëveshjeve të partneritetit si dhe zbatimit.