Këshillimi i karrierës mbetet një fushë e re për kontekstin shqiptar, ku aplikimi i shërbimit ka nisur vetëm vitet e fundit në formë të strukturuar. Megjithatë dinamika e tregut të punës sot, gjithnjë e më tepër nxjerr në pah se sa i nevojshëm është ky shërbim në një shoqëri e cila duhet ti përgjigjet ndryshimeve globale dhe nevojave të tregut lokal.

Aktualisht në vend, janë të paktën 24 të rinj të cilët para një viti kanë marrë vendimin të ndjekin studimet master për këshillim karriere në masterin “Orientim Profesional”, i vetmi program akademik në këtë fushë, që ofrohet nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.  Ky program masteri këtë vit akademik erdhi në një format më të përmirësuar dhe përditësuar, edhe në sajë të partneritetit që Fakulteti i Shkencave Sociale ka lidhur me Universitetin e Lozanës në Zvicër, me mbështetjen RisiAlbania, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Në kuadër të kufizimeve që paraqiti periudha e izolimit gjatë pandemisë, edhe ky program si pjesa tjeter e sistemit arsimor, filloi organizimin e mësimit online. Si pjesë e lëndës “Sistemi arsimor dhe struktura e orientimit profesional në Shqipëri” studentët punuan gjatë kësaj periudhe për të sjellë në jetë një projekt të aplikuar: “Roli i orientimit profesional në shkollat e mesme – bazuar mbi rastin e studimit të shkollës së mesme ‘Besnik Sykja’ në Tiranë”. Studentët u angazhuan për të propozuar një qasje praktike përgjatë një viti të plotë akademik duke parashikuar evente, ndërhyrje, vizita në biznese, orientim profesional të dedikuar duke marrë parasysh edhe kufizimet në burime financiare, njerëzore dhe infrastrukturore aktualisht në shkollat e mesme.

Në 12 Maj, u organizua leksion i hapur, në të cilin u prezantuan gjetjet dhe një plan pune për implementimin e shërbimeve të karrierës në shkollat e mesme. Ky leksion u trajtua edhe në formën e një diskutimi mes pjesëmarrësish, duke qënë se mblodhi sëbashku disa aktorë në fushën e shërbimeve të karrierës. Rekomandimet planifikohen të rishikohen dhe perditësohen edhe më tej dhe të pilotohen në shkollën Besnik Sykja duke filluar nga viti i ardhshëm akademik. Pilotimi do t’i japë mundësinë studentëve të jenë më pranë tregut të punës dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre për të projektuar shërbime të ndryshme, të cilat mungojnë  në vend por që praktika e vendeve të zhvilluara e këshillon si nevojë të menjëhershme. Ky shërbim në shkollat e mesme është ende i vështirë për tu integruar në mënyrë sistematike, por këta të rinj janë duke marrë formimin e duhur për të shtruar rrugën drejt këtij shërbimi.

Detyrat praktike dhe të aplikueshme, janë vetëm një aspekt se si ky program masteri i shërben të rinjve profesionistë për tu përgatitur për tregun e punës. Paralelisht kërkuese të këtij institucioni, në bashkëpunim me Universitetin e Lozanës, nën mbështetjen e RisiAlbania janë duke standardizuar testet e para të karrierës në shqip (teste interesi dhe personaliteti) bazuar në testet më të mira ndërkombëtare. Programi i masterit “Orientim Profesional” i Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti Tiranë, ka si mision përgatitjen dhe krijimin e kushteve për këshilluesit e karrierës të ofrojnë shërbimet e tyre në struktura të ndryshme në Shqipëri.

“Unë besoj tek energjia e të rinjve, te ndryshimi që vjen përmes profesionistëve të formuar mirë. Rruga është ende e gjatë, por të ecim duke punuar dhe besuar që ndryshimi vjen përmes punës, profesionalizimit dëshirës për të realizuar. Në latinisht thuhet ‘per aspera ad astra’ që do të thotë ‘përmes vështirësive drejt yjeve’, kjo duhet të jetë edhe moto e punës tonë!”, shprehet Nada Kallçiu, pedagoge dhe kërkuese pranë Fakultetit të Shkencave Sociale.