Në datat 12-15 Shkurt, dy nga kompanitë e bimëve aromatike-mjekësore BioBes dhe Bioalba, që mbështet projekti, morën pjesë në panairin e bimëve medicinale dhe ushqimit organik BIOFACH 2020 në Nuremberg, Gjermani. Në bashkëpunim me programin zviceran SIPPO  dhe Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, AIDA këtë vit 5 kompani shqiptare (Albanian Herb, AlbFruit 2005, Bidaj, Bioalba Group, BioBes), u prezantuan me një stendë të dedikuar në pavionin e përbashkët të Shqipërisë.

“Ishte një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar modelin tonë, fermerët dhe prodhimet tona 100% organike në tregun gjerman dhe jo vetëm”, u shpreh Sokol Stafa përfaqësuesi I Bioalba. Ndërsa për Besnik Kocin, perfaqësuesin e BioBes pjesëmarrja në këtë panair I shërben jo vetëm promovimit të bimëve aromatike mjekësore vendase, por është një mundësi për të mesuar më shumë rreth kërkësave që ka tregu dhe për të krijuar kontakte të reja me partnerë të mundshëm.

BIOFACH është një ngjarje e rëndësishme biznesi në sektorin e bimëve medicinale dhe ushqimit organik, ku këtë vit morën pjesë rreth 4000 mijë ekspozues nga e gjithë bota. Ky panair zhvillohet për të 30-in vit radhazi. BIOFACH pritet të krijojë mundësi për bashkëpunime dhe shtrirje në tregjet e huaja, promovimin e Shqipërisë si destinacion me potencial shumë të madh zhvillimi për bimët medicinale dhe prodhimet organike, por edhe si një mundësi për  lidhjen e kontratave të reja mes kompanive pjesëmarrëse.

Risi, në bashkëpunim me AIDA përgatitën dhe shpërndanë gjatë panairit broshurën “Enjoy Bio Albania”, e cila përmban informacion mbi zhvillimin e sektorit të bimëve medicinale dhe aromatike në Shqipëri, si edhe informacion të përgjithshëm për 5-kompanitë pjesëmarrëse në panair.