Partneriteti i ri ndërmjet Akademisë së Mikpritjes dhe Turizmit me një prej shkollave më të njohura botërore në fushën e mikpritjes, Shkolla e Manaxhimit të Biznesit & Hotelerisë në Zvicër do t’u mundësojë studentëve shqiptarë transferimin e studimeve të tyre si dhe mundësinë për të përfituar nga praktikat e paguara të punës, duke punuar në hotele dhe resorte kryesore zvicerane.

Marrëveshja midis HAT dhe BHMS krijon një shteg të ri edukimi për studentët e HAT, përmes së cilës mund të përfitojnë nga kurrikula e përputhshme me BHMS në Zvicër.

“Përmes këtij partneriteti të rinjtë dhe të rejat mund të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre si edhe mund të ngrenë karrierën e tyre në nivele më të larta.”-u shpreh Gladiola Dona, Drejtuese e Akademisë së Mikpritjes dhe Turizmit në fjalën e saj përshëndetëse gjatë ceremonisë së organizuar, me pjesëmarrjen e institucioneve arsimore publike dhe jo-publike, studentëve, medias, komunitetit të zhvillimit si dhe zyrtarëve të lartë të Ambasadës Zvicerane në Tiranë.

Martin Wyler, Drejtor për Zhvillimin e Biznesit Ndërkombëtar në BHMS ftoi të rinjtë të përfitojnë nga programet e ndryshme që BHMS ofron, si për shembull programet Bachelor në Manaxhim Hoteleri & Mikpritje dhe Manaxhim Biznesi Global, si edhe programet master në Manaxhim Hospitaliteti dhe MBA në Manaxhim Hospitaliteti ose Manaxhim Biznesi/Global dhe nga programet e Manaxhimit Kulinar.

“Jemi të kënaqur të shohim se si Akademia e Mikpritjes dhe Turizmit, HAT, ofron tashmë një kurrikul të nëjtë me shkollaën zvicerane.  Përmes këtij partneriteti të rinjtë shqiptarë do të avancojnë në karrierën e tyre dhe do të ekspozojnë dhe zhvillojnë më tej aftësitë e tyre në mjedisin ndërkombëtar”- u shpreh Z. Patrik Meier, Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri.

Ai theksoi se Zvicra përmes projektit të saj RisiAlbania kontribuon në stimulimin e tregut privat të trajnimeve joformale përmes mbështetjes së metodologjive dhe programeve novatore të të mësuarit, që kërkon sot biznesi.

Shqipëria ka një sektor tërheqës turizmi dhe mikpritjeje me shumë potencial për zhvillim dhe punësim. Sektori privat artikulon mungesë aftësish të të punësuarve të tyre në sektorin e turizmit, ndërsa tregu privat i ofruesve të zhvillimit të aftësive ka shumë më shumë potencial sesa ai aktual. Për të zvogëluar hendekun, SDC përmes projektit tonë RisiAlbania punon në këtë fushë për të stimuluar ofruesit e trajnimeve joformale përmes programeve dhe metodologjive novatore, që janë shumë të kërkuara nga bizneset në sektor. Në këtë drejtim, Risi ka kontribuar duke siguruar trajnime mbështetëse për të pasuruar ofertën dhe shërbimet e tyre, të rrisë kontaktet e tyre në mënyrë që të tërheqin më shumë studentë, si dhe të zgjerohen jashtë Tiranës.

Ky është dhe rasti i Akademisë së Turizmit dhe Hospitalitetit (HAT), një nga partnerët e RisiAlbania, të cilët ofrojnë kurse trajnimi të kërkuara në fushën e turizmit dhe mikpritjes. HAT ka një numër gjithnjë e në rritje të të trajnuarve që ndjekin kurset dhe që arrijnë të diplomohen me sukses, përkatësisht 580 të diplomuar që nga 2015, kur dhe është themeluar. Kërkesa për të diplomuarit e HAT është e lartë dhe 100% e tyre arrijnë të punësohen menjëherë pas diplomimit. Së fundmi, HAT ka lançuar dhe platformën profesionale online, e cila mundëson akses më të mirë trajnimi për të rinjtë që nuk jetojnë në Tiranë.

Duke mbështetur ofruesit e trajnimeve private joformale për të zhvilluar dhe zbatuar programe dhe metodologji novatore të të mësuarit, projekti RisiAlbania është duke përmirësuar aftësitë e të rinjve si edhe duke rritur punësimin për të rinjtë në sektor.