Tema e këshillimit të karrierës në nivel Universitar bëri bashkë më 24 tetor, përfaqësues nga Institucionet publike dhe provate të arsimit të lartë në Shqipëri, ekspertë të fushës, bizneset private, të rinj, medias dhe përfaqësues të projekteve për rininë. Aktiviteti kushtuar shkëmbimit të eksperiencave mbi shërbimet e këshillimit të karrierës, kulmoi me certifikimin e grupit të parë të 20 këshilluesve të karrierës që përfunduan me sukses programin ndërkombëtar të trajnimit – Global Career Development Facilitator (GCDF).

Aktiviteti ishte një mundësi e mirë për të diskutuar midis aktorëve të fushës për statusin aktual dhe të ardhshëm të këshillimit të karrierës në Shqipëri dhe një mundësi për të prezantuar punën që po bën RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për të siguruar një orientim cilësor për të rinjtë shqiptarë në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional si për të siguruar lidhjen me tregun e punës.

“Ne po forcojmë shërbimet e këshillimit të karrierës në universitetin tonë, me mbështetjen e projektit RisiAlbania, dhe tani është momenti të ofrojmë më shumë shërbime si praktikat mësimore dhe të zhvillojmë rrjetet alumni. Eshtë me shumë rëndësi që këto shërbime të ofrohen edhe në nivelin parauniversitar ”- theksoi Prof. Dr. Edmond Rapti, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale.

Përfaqësuesit e universiteteve dhe bizneseve private (si agjensitë e rekrutimit) diskutuan për sinergji midis tyre, për të mbështetur kalimin e të rinjve nga sistemi arsimor në tregun e punës, duke theksuar rolin që kanë qendrat e këshillimit të karrierës në orientimin e të rinjve drejt arsimit të duhur, trajnimit dhe zgjedhjes së karrierës.

“Jam i lumtur që u dorëzoj certifikatat profesionistëve të motivuar që po ndihmojnë studentët të gjejnë punën për të cilën janë kualifikuar. Midis këtyre studentëve dhe sipërmarrjes, qëndron një hallkë e rëndësishme, shërbimi i këshillimit të karrierës dhe sot ju përfaqësoni pionierët që po vendosin themelet për shërbime cilësore të këshillimit të karrierës në Shqipëri” – theksoi z. Stefan Joss, Drejtor i Projektit RisiAlbania, gjatë ceremonia e çertifikimit.

Pas programit ndërkombëtar të trajnimit (GCDF), dhe forcimi I kapaciteteve të stafit të qendrave të këshillimit të karrierës, universitetet po bashkëpunojnë më tej me RisiAlbania për të  forcuar shërbimet aktuale dhe për të prezantuar shërbime të reja si trajnime, panairet e karrierës, krijimin e Rrjetit të Alumni dhe të tjera si këto.