Nxisim përfshirjen e të rinjve në bujqësi dhe zbatimin e praktikave të mira bujqësore
Intervistë me Klajdi Çeka, Inspektor – Auditues, Albinspekt
Klajdi është një teknolog ushqimor 28 vjeç, i cili punon që prej korrikut të vitit 2017 me Albinspekt Ltd si auditues. Albinspekt është një kompani certifikuese dhe inspektuese që operon në Shqipëri dhe Kosovë si pjesë e kompanisë bio inspecta me seli në Zvicër. Klajdi u përfshi në ngritjen e kapaciteteve audituese dhe certifikuese të kompanisë për kompanitë që aplikojnë standardin për certifikimin në grup GlobalG.A.P. dhe në lançimin e Agroquality, një platformë online – one-stop-shop që ofron informacion rreth kërkesave të certifikimin, platformë që u mbështët nga RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC. Klajdi është i angazhuar duke kontribuar në nxitjen e interesit të të rinjve për sektorin e agrobiznesit si dhe në arritjen e potencialit maksimal të sektorit përmes zbatimit të standardeve ndërkombëtare.
Ju jeni ndër audituesit e parë për certifikimin në grup “Global Gap” në Shqipëri, si ka qenë eksperienca juaj si inspektor dhe auditues?
Ka qenë një eksperiencë e re dhe sfiduese. Kam filluar trajnimin që prej vitit 2017, si inspektor. Duke ndjekur trajnimet dhe duke kaluar disa teste, kalon në stadin e audituesit. Në Shqipëri është një eksperiencë e re zbatimi i standardit “Global Gap” dhe sidomos certifikimi në grup dhe është eksperiencë e re për kompanitë që menaxhojnë sistemin e cilësisë. Ka qenë eksperiencë e bukur, interesante, me intensitet edhe për trupën certifikuese. Paraprakisht kam ndjekur disa trajnime nga trupa certifikuese portugeze Sativa, më pas trajnime për mënyrën e kryerjes së auditimeve dhe më pas kaluam testimin në Gjermani, ku morën pjesë kandidatë nga vende të ndryshme të botës. Duhen patjetër njohuri në fushën e bujqësisë dhe një eksperiencë 2-3 vjeçare në këtë fushë. Një auditues duhet patjetër të ketë informacione lidhur me ISO-n, sidomos ISO 19021 dhe ISO 22000, pasi trajnimet dhe informacionet që merr bmundësojnë mirëmenaxhimin e procesit të auditimit.
Nga eksperienca juaj e deritanishme cilat janë sfidat që hasni në punën tuaj si auditor për certifikimin në grup GlobalG.A.P.?
Në Shqipëri fermerët nuk kanë shumë informacion mbi standardet e sigurisë ushqimore dhe kërkesat e GlobalG.A.P. Këta fermerë nuk janë të lidhur drejtpërdrejtë me tregjet ndërkombëtare, çka e vështirëson komunikimin me blerësit e huaj dhe plotësimin e kërkesave të tyre. Nga ana tjetër eksportuesit që i njohin më mirë këto tregje nuk kanë informacionin e duhur sa i takon zbatimit të standardit GlobalG.A.P. e sidomos certifikimin në grup dhe se sa efektivë mund të jetë ai. Shumë kompani eksportuese nuk kanë personelin me njohuritë dhe eksperiencën e duhur dhe nuk kanë akses tek konsulentët me ekspertizën e duhur që mund tu vijnë në ndihmë për të siguruar certifikimin në grup GlobalG.A.P.
Mendoni se ka të rinj të cilët janë të interesuar për t’u bërë pjesë e këtij stafi dhe të zbatojnv standardin GlobalG.A.P?
Në inspektimet apo auditimet që ne kemi bërë, pozitive është përfshirja dhe pjesëmarrja e të rinjve. Ne kemi eksperiencën e vitit të kaluar me një kompani të certifikuar, e cila punon me 60 fermerë, ku përveç të rinjve në linjën e prodhimit, ka edhe të rinj të përfshirë në sistemin e menaxhimit të cilësisë. Këta janë të rinj të diplomuar që shfaqin interes për zbatimin e standardit Global Gap. Ne jemi në kontakt me kompani të ndryshme, ku kemi parë përfshirjen e të rinjve. Në inspektimet tona shohim të rinj të kualifikuar, por edhe nga ata që janë kthyer nga emigracioni e që ndërtojnë modele për njësitë e prodhimit. Përfshirja e të rinjve në këtë sektor mbetet një sfidë. Agrobiznesi nuk është shumë tërheqës për të rinjtë, pasi shihet si një sektor ku mbizotëron puna e rëndë e krahut, por ka shumë mundësi si ato që lidhen me sigurinë ushqimore dhe certifikimin. Kjo është karrira që kam zgjedhur unë. Mendoj se sektori privat duhet të jetë më shumë i lidhur me Universitetin Bujqësor të Tiranës pasi aty ka mjaft elementë mjaft të mirë.
Cili është avantazhi i certifikimit në grup “Global Gap”?
“Global Gap”është një standard që ka të bëjë me zbatimin e praktikave të mira bujqësore për një produkt të sigurt. Përveç sfidës së prodhimit të produkteve ushqimore, kërkohet edhe siguria dhe cilësia e prodhimit dhe ky është edhe slogani i GLOBALG.A.P. Thelbi është cilësia dhe siguria ushqimore, kjo është dhe sfida më të cilën duhet të përballemi ne. Lajm i mirë është fakti që që kanë nisur përpjekjet për ta adresuar këtë çështje. Ka probleme, por ne kemi parë interes nga fermerët apo pikat e grumbullimit për arritjen e këtij standardi.
Ka interes nga kompani të tjera për të marrë certifikimin “Global Gap”?
Unë ndihem optimist, por edhe duke e parë situatën me realizëm, që prej fillesave të certifikimit “Global Gap” të cilat kanë qenë certifikime individuale, fermerët që prodhonin në sasi të reduktuar nuk arrinin dot tregjet ndërkombëtare. Tani me mbështetjen e RisiAlbania shohim një dinamikë të re në përhapjen e GlobalG.A.P. në Shqipëri. Eksportuesit që mbështesin grupe fermerësh janë lidhur me tregjet e huaja dhe ofrojnë informacion mbi përfitimet e certifikimit në grup krahasuar me certifikimin individual. Ata janë të interesuar në çështjet e sigurisë ushqimore për të aksesuar tregjet e huaja evropiane dhe kanë kuptuar se çelësi i suksesit është bashkëpunimi dhe mbështetja ndaj fermerëve për zbatimin e standardit. Cerfifikimi në grup “GlobalG.A.P.” është në fillesat e veta por është një trend në rritje në vendin tonë. Eksportuesit, fermerët e mëdhenj dhe konsulentët kanë mundësi të sigurojnë informaion falas, në gjuhën shqipe për standardin GlobalG.A.P.