Mundësi të reja punësimi për gratë artizane në Kukës
Mirjana është një vajzë e re që jeton në Kukës, nënë e dy fëmijëve. Edhe pse është diplomuar për infermjeri, ajo nuk pajtohet me statusin e të papunës, por për të kontribuar ekonomikisht në familje dhe për rritjen e dy fëmijëve ajo i është rikthyer pasionit për punimet artizanale, dhe të rrobaqepsisë.
“Ky është kombinimi ideal për mua, në një qytet si Kukësi ku mundësitë për të gjetur punë janë të pakta. Më pëlqen të punoj me produktet artizanale dhe ky pasion mund të krijojë mundësi të reja ekonomike për mua” – thotë Mirjana.
Mirjana është një prej 40 grave nga Kukësi që janë pjesë e projektit të ri “Zhvillimi i tregut për produktet artizanale në Kukës” (MDAWK), që po zhvillohet nga organizata Social Development Investments (SDI) me mbështetjen e Risisë.
Ne e takuam Mirjanën gjatë workshopit me gratë artizane, të cilat po mësojnë rreth teknikave moderne për dizenjimin e produkteve të leshta, teknikat për ngjyrosje në mënyrë organike, për tregun e brendshëm dhe atë të huaj.
“MDAWK është një projekt që synon të fuqizojë gratë përmes nxitjes së aktivitetit ekonomik në Kukës me një fokus të veçantë prodhimet artizanale të leshta nga kjo zonë. Ne po përmirësojmë cilësinë e produktit duke prezantuar teknika të reja dhe duke nxitur promovimin e këtyre produkteve përmes rrjeteve sociale dhe platformave online”- thotë Elias Mazloum, drejtues i SDI.
Nëse dikush është i interesuar të blejë produktet e punuara nga Mirjana dhe shoqet e saj mund të vizitoni faqen mdawk.mozello.com apo edhe faqen në Facebook të projektit.
Shitjet përmes këtyre faqeve krijojnë të ardhura, vende të reja pune dhe ndihmojnë në riaktivizimin e zinxhirit të vlerës të produkteve të leshta në rajonin e Kukësit.
Projekti “Zhvillimi i tregut për produktet artizanale në Kukës” po krijon akses dhe po zhvillon një treg të ri, duke standartizuar prodhimet tradicionale të leshta sipas standardeve të kohës që kërkon tregu vendas dhe i huaj.