Pajisim brezin e ri me aftësitë që kërkon tregu në sektorin e turizmit
Rreth njëqind vajza dhe djem nga Lezha dhe zonat përreth po ndjekin kurset e reja profesionale të formimit të hartuara nga AA Kurse Formimi Hotelerie, një ofrues privat i trajnimeve jo-formale në Lezhë.
“Ne po ofrojmë kurse të reja të hartuara sipas nevojave të tregut të turizmit dhe bizneseve në rajonin tonë, një zonë turistike ku kërkesa për punonjës të kualifikuar dhe të pajisur me aftësitë e duhura është e lartë. Jemi të lumtur të konstatojmë se interesi për të marrë pjesë në trajnime të tilla është i lartë, si nga individët ashtu edhe nga bizneset që operojnë në sektorin e turizmit, të cilët dëshirojnë të trajnojnë dhe përmirësojnë aftësitë e stafit të tyre “, – thotë Arbër Avdija, administrator i AA Kurse Formimi Hotelerie.
AA Kurse Formimi Hotelerie ofron programe të reja cilësore në Bar, Piza dhe Akullore, të cilat nuk ofrohen nga operatorët në rajon, falë mbështetjes së Risi-së. Projekti mundësoi gjithashtu vënien në kontakt të këtij ofruesi trajnimesh me Akademinë e Mikpritjes dhe Turizmit, një ofrues trajnimi me seli në Tiranë të cilat po bashkëpunojnë për të ofruar trajnime më të mira dhe cilësore profesionale.
Kurset kanë nisur dhe me fillimin e sezonit të ri turistik, pjesëmarrësit do të jenë gati për tregun e punës, të pajisur me aftësitë e kërkuara dhe pse jo të punësohen.