Çertifikimi i produkteve shqiptare – domosdoshmëri për të hyrë në tregjet e BE-së
Për të hyrë në tregjet e BE-së, është e domosdoshme përmbushja e kërkesave të sigurisë dhe ëndrueshmërisë në bujqësi dhe marrja e çertifikimit për produktet shqiptare. Për herë të parë në Shqipëri Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë (MBZHR) dhe RisiAlbania sollën më 16 mars 2019 GLOBALG.A.P. TOUR në Shqipëri, një mundësi e shkëlqyer për grumbulluesit e produkteve bujqësore, eksportuesit, prodhuesit, supermarketet, konsulentët dhe organet e certifikimit të frutave dhe perimeve, për të mësuar më shumë rreth standardeve të GLOBALG.A.P.
Më shumë se njëqind pjesëmarrës marin pjesë në konferencën njëditore që po zhvillohet gjatë Edicionit të II “Agro-Tech Expo & Forum 2019”. GLOBALG.A.P. TOUR është një mundësi unike që i njeh pronarët e bizneseve me një prej standardeve më të mëdha në botë, me një shtrirje në mbarë botën dhe që u krijon mundësi atyre që të takojnë partnerë biznesi dhe ofrues shërbimesh.
“Çertifikimi i produkteve Made in Albania është domosdoshmëri në mënyrë që prodhuesit tanë të konkurrojnë në tregjet evropiane. Pas çertifikimit GlobalG.A.P. kompanitë tona do ta kenë rrugën e shtruar për të nënshkruar kontrata më të mira në tregjet evropiane. GlobalG.A.P. do të thotë më shumë shitje, më shumë siguri, më shumë vende pune e më shumë të ardhura” Fjalët e Zv.Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ermira Gjeçi në çeljen e GlobalG.A.P. TOUR 2019.
“Krijimi i vendve të punës në bujqësi nuk ka të bëjë vetëm më numrat, por me cilësinë e kushteve të punës dhe me sigurinë e kontratave me blerësit” – vlerësoi gjatë fjalës së tij Stefan Joss drejtor i projektit RisiAlbania.
“Në mënyrë që eksportet shqiptare të kenë akses në tregje me vlerë më të lartë duhet t’iu përmbahen standardeve të kërkuara të BE-së, të cilat hapin dyert për supermarketet e BE-së” tha Ejup Ahmet inga kompania ekspertuese Doni Fruit. GlobalG.A.P është një nga çertifikatat që garanton sigurinë e ushqimit dhe kushtet e sigurta në punë për punëtorët, gjë që çon në punë cilësore.
Projekti RisiAlbania, ka mbështetur deri tani dy grumbullues të produkteve bujqësore për zbatimin e certifikimit të grupit GlobalG.A.P. Një prej tyre shpjegoi se tashmë ka certifikuar një grup fermerësh dhe ka arritur të rrisë shitjet në BE me një milion Euro dhe në vitin 2019 planifikon të rrisë me 25% eksportet drejt BE-së.
GlobalG.AP është një standard sfidues për fermerët, grumbulluesit dhe eksportuesit e produkteve bujqësore, por përmes platformës Agroquality, të mbështetur nga RisiAlbania dhe prezantuar gjatë konferencës, i gjithë materiali është i përkthyer në shqip dhe ofron udhëzime të qarta për aplikimin dhe përmbushjen e standardit.