RisiAlbania synon përmirësimin e ndërveprimit midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, në mënyrë që të rinjtë dhe të rejat të kenë akses tek informacioni mbi tregun e punës dhe mbi vendet e reja vakante, ndërsa bizneset private të mund të gjejnë staf sa më të kualifikuar. Shërbimet e tregut të punës përfshijnë shërbimet gjatë gjithë procesit për gjetjen e një vendi pune, që nga koha kur të rinjtë duhet të zgjedhin fushën e tyre të studimit (që në moshën 15 vjeçare për ata të rinj të cilët zgjedhin frekuentimin e shkollave të AFP) e deri në momentin kur arrijnë të gjejnë një vend pune të qëndrueshëm.
Fokusi i ndërhyrjeve me qëllim arritjen e këtij rezultati synon tre ndryshime kryesore sistemike:
- Ofrimi i informacionit mbi tregun e punës nga media në mënyrë të qëndrueshme dhe fitimprurëse;
- Përmirësimi i shërbimeve të ndërmjetësimit për punë nga ofruesit publikë e privatë;
- Lehtësimi i debateve publike për politika e praktika të përmirësuara të punësimit të të rinjve.