Zv. Kryeministrja Senida Mesi dhe Shefja e Departamentit për Bashkëpunimin me Evropën Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës Ambasadorja Ruth Huber, firmosën më 23 mars 2018 në një ceremoni të posaçme marrëveshjen për fazën e II-të të projektit Risi Albania.
“Risi Albania do të punojë për ta bërë tregun e punës tërheqës për djemtë dhe vajzat e reja përmes 3 strategjive; së pari duke ndihmuar kompanitë dhe bizneset të rriten dhe të krijojnë vende pune për të rinjtë, së dyti duke u ofruar të rinjve informacion dhe ndërmjetësim, duke i lidhur ata me tregun e punës dhe së treti duke përmirësuar njohuritë dhe aftësitë sipas kërkesave të tregut, në mënyrë që të pajisin të rinjtë më aftësitë e nevojshme për tu punësuar”, tha gjatë fjalës së saj Ambasadorja Huber.
Zv.Kryeministrja Mesi theksoi se projekti Risi Albania ka në fokus punësimin e të rinjve në sektorët si inovacion, bujqësi, zhvillim rural dhe turizëm dhe ai i përgjigjet më së miri prioritetit të qeverisë shqiptare – punësimit. “Si rezultat ne besojmë se ky projekt do të ndihmojë qeverinë shqiptare të arrijë këtë objektiv”, vlerësoi ajo.
Ndërsa në fjalën e saj Ambasadorja Ruth Huber u shpreh se suksesi i projektit varet nga përpjekjet e përbashkëta të qeverive të Zvicrës dhe Shqipërisë dhe të ekspertizës teknike të partnerëve që zbatojnë projektin.
Risi arriti në 4 vitet e para të krijojë përmes bashkëpunimit me biznesin 950 vende pune në sektorët e turizmit, bujqësisë dhe TIK. Ofroi shërbimet e ndëmjetësimit për 5’400 të rinj dhe mbështeti ofruesit privatë të trajnimeve për të rritur njohuritë dhe aftësitë e 9’700 të rinjve nga të cilët 50% vajza – të dhëna këto që u vlerësuan nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim SDC përmes dinamikës dhe rezultateve të arrira nga zbatimi i një qasjeje sistemike dhe që mundësuan financimin e fazës së dytë të projektit Risi Albania me një konsorcium partnerësh , HELVETAS dhe Partner Albania.