Përfaqësues të qeverisjes vendore, tur-operatorë, biznese që operojnë në sektorin e turizmit dhe akademikë nga Gjirokastra u mblodhën në 7 maj 2018 për të diskutuar dhe rënë dakord mbi krijimin dhe menaxhimin e portalit zyrtar të turizmit për qarkun Gjirokastër. Pjesëmarrësit u njohën me disa nga praktikat dhe modelet më të mira nga vendi dhe bota. Ata ndoqën gjithashtu prezantime nga ekspertët e ftuar nga Risi Albania për modalitetet e menaxhimit të këtyre portaleve dhe rëndësinë e tyre si mjete për promovimin e turizmit.
“Ky portal është mjeti i duhur që do të na afrojë me njëri-tjetrin për të punuar bashkarisht për qëllimin tonë të përbashkët, promovimin e Gjirokastrës si destinacion turistik“- tha Sadi Petrela, nga Fondacioni Gjirokastra.
Kryetarja e bashkisë Znj.Zamira Rami mori pjesë në këtë takim dhe mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse, duke theksuar se bashkia do ta mbështesë këtë inisiativë që do të menaxhohet nga aktorët vendas nën kujdesin e Risi Albania.
Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike gjatë workshop-it, pjesëmarrësit identifikuan pikat e forta dhe ato të dobta të rajonit dhe mbështetën krijimin e këtij portali. Ata ranë dakord të krijojnë dhe të marin pjesë në organin drejtues që do të jetë përgjegjës për portalin e turizmit të Gjirokastrës, si hapi i parë drejt krijimit të tij – porta kryesore ku turistët do të marin informacion.