Një program për punësimin e të rinjve i mbështetur nga qeveria zvicerane ka dalë me disa ide në lidhje me një numër programesh inovatore mediatike, të cilat informojnë dhe inkurajojnë punëkërkuesit e rinj për të kërkuar dhe për të gjetur punësim.
Ambasada Zvicerane nëpërmjet programit për punësimin e të rinjve RisiAlbania dhe së bashku me Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës mblodhën së bashku ekspertë të mediave, gazetarë dhe studentë për të bërë prezantimin e disa modeleve inovatore në lidhje me mënyrën sesi media mund të raportojë dhe të informojë mbi tregun e punës. Tashmë për kanalet e interesuara mediatike janë të disponueshme disa formate të reja për ofrimin e informacionit për vendet e punës.
“Gjetja e punës është një nga detyrat kryesore për çdo person, dhe veçanërisht për të rinjtë. Përvoja ka treguar që nxënësit të cilët marrin pjesë në një proces mësimnxënie që bazohet në aftësi e kanë më të lehtë të përshtaten në tregun e punës, përsa i përket gjetjes dhe mbajtjes së vendit të punës”, tha Ambasadori Zviceran Z.Christoph Graf gjatë fjalës së tij përshëndetëse. “Tani kemi disa shembuj shumë të mirë të shfaqjeve televizive, të kolonave në shtyp dhe të programeve radiofonike të cilat informojnë dhe inkurajojnë të rinjtë në lidhje me çështjet e punësimit. Aktualisht në Shqipëri janë afërsisht njëqind produkte inovatore mediatike të cilat mund të përdoren për këtë qëllim”, vazhdoi fjalën e tij Ambasadori Graf, ndërsa foli për formatet e reja mediatike të mundësuara nga RisiAlbania.
Konferenca u hap nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Z. Shezai Rrokaj, i cili u fokusua tek përgatitja e studentëve të gazetarisë për raportimin për sektorë të veçantë si për shembull për punësimin. “Raportimi mbi tregun e punës është një pjesë e rëndësishme e axhendës së mediave. Të rinjtë duhet të kenë informacionin e duhur në momentin e orientimit në karrierat e tyre dhe në tregun e punës”, tha Z. Rrokaj në fjalimin e tij
Një përvojë unike, përsa i përket raportimit të vendeve të punës në media, erdhi në këtë konferencë nëpërmjet Z. Martin Küper. Drejtor i Departamentit Editorial “Biznesi dhe Konsumatori” në Televizionin Rundfunk Berlin-Brandenburg (RBB) në Gjermani. Ai bëri një prezantim të eksperiencës së këtij kanali të mirënjohur mediatik në Gjermani përsa i përket mbulimit të çështjeve të punësimit dhe ofrimit të informacionit të dobishëm për audiencën e re në moshë. “Mesa duket tani në Gjermani interneti përbën edhe mënyrën më të mirë për të arritur tek të rinjtë me informacion për tregun e punës – madje edhe me përmbajtjen e prodhuar për televizionet tradicionale”, tha Z. Küper.
Në konferencë ishin të pranishëm disa përfaqësues nga kanale mediatike televizive dhe nga shtypi të cilët morën pjesë aktivisht në diskutimet e ngjallura nga prezantimet e ekspertëve. Situata e raportimit në media në lidhje me sektorin e punës u prezantua nga Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Z. Artan Fuga. “Raportimi mbi tregun e punës në Shqipëri nuk është në nivele të kënaqshme. Kanalet mediatike janë përgjithësuese. Ato rendin pas lajmeve politike dhe nuk raportojnë lajmet më të buta apo ato që lidhen me shqetësimet e njerëzve në jetën e tyre të përditshme. Ajo që nevojitet në modelin tonë të mediave është një transformim rrënjësor i tyre. Ndryshimi i mentalitetit duhet të shtrihet në nivel pronari, drejtuesi dhe gazetari” tha Z. Fuga.
Papunësia e të rinjve përbën një sfidë për Shqipërinë me disa shifra që dëshmojnë që 30% e të rinjve janë të papunë ose të nënpunësuar. Kjo mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe të ardhmen e vendit. Është vlerësuar se aktualisht rreth 700,000 të rinj së bashku me familjet e tyre janë të interesuar të marrin informacion mbi vendet e punës por nuk mund ta gjejnë atë në median tradicionale. Kjo mundësi u shfrytëzua nga RisiAlbania dhe gjatë vitit të fundit janë zhvilluar një numër produktesh mediatike dhe modele biznesi të cilat mund të përdoren për të informuar më mirë të rinjtë në lidhje me karrierën, vendet e punës dhe arsimin.
RisiAlbania u ngrit nga qeveria zvicerane me qëllim nxitjen e modeleve të reja, inovatore dhe tërheqëse për infomacionin mbi vendet e punës, përputhjen me vendin e punës dhe zhvillimin e aftësive. Puna kryesore e kryer gjatë vitit të fundit ishte puna me mediat për rritjen e numrit dhe cilësisë së programeve informuese për vendet e punës. I një interesi të veçantë është edhe krijimi i modeleve ku kanalet mediatike private mund të krijojnë formate dhe shfaqje të reja fitimprurëse në kontekstin e burimeve dhe financave të kufizuara. Gjithashtu, programi arriti të përfshijë edhe një modul të ri në kurrikulën e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit. Tani studentët, mund të mësojnë në lidhje me mënyrat inovatore për mbulimin e çështjeve të punësimit dhe të tregut të punës. Përfituesit përfundimtarë janë të rinjtë dhe të rejat të cilët kanë nevojë për informacion të saktë dhe në kohë në lidhje me vendet e punës dhe karrierën.